Pasi Kçiqi u terrorizua nga hajnat, Policia e kryetari Bahtiri vizitojnë fshatin – Premtohet siguri

Publikuar më:

Vjedhjet që ndodhën së fundmi në fshatin Kçiq i Madh mobilizuan banorët dhe nxitën reagime të shumta.


Për këtë arsye, Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, sot vizitoi Kçiqin së bashku me Kryetarin e Kuvendit Komunal, Safet Kamberi dhe Komandantin e Stacionit Policor të Mitrovicës Jugore, Ahmet Xhosha.

Gjatë këtij takimi, në të cilin u respektuan rregullat antiCovid19, Kryetari Bahtiri ka potencuar se Komuna do u ofrojë mbështetje banorëve sepse është e padrejtë dhe e patolerueshme që përpos situatës pandemike të përballen edhe me këtë fenomen negativ.

“Jemi të vetëdijshëm secili prej nesh që po përballemi me pandeminë CoVid-19 e përhapur në gjithë botën, dhe numrin e madh të personave që po preken nga ky virus, dhe të dalin persona të tillë e të sjellin probleme e pasiguri në familjet tuaja është e pa tolerueshme, dhe nuk është e drejtë që në këtë gjendje që jemi si shoqëri të përballemi edhe me raste të vjedhjeve. Prandaj ne si institucione sot jemi këtu me një qëllim të vetëm që t’u ofrojmë mbështetjen e plotë si nga ana e komunës, ashtu edhe nga Policia e Kosovës, që këta njerëz që po kryejnë këto vjedhje të vendosen para ligjit, andaj nuk keni nevojë të bëni panik, dhe të krijoni pasiguri në familjet tuaja”, është shprehur Kryetari Bahtiri.

Nga ana tjetër, Komandanti Xhosha dhe Kryetari Kamberi kanë theksuar domosdonë e bashkëpunimit mes binomit qytetarë-polici gjersa Komandanti Xhosha gjithashtu ka shtuar se policia ka ngritur menjëherë kapacitet operative dhe do monitorojnë rregullisht në fshat.

Anëtari i kryesisë së fshatit, Imer Fejza, në emër të banorëve të pranishëm ka falënderuar institucionet për vizitën dhe mbështetjen karshi banorëve dhe fshatit.

Vlen të ceket se Kryetari Bahtiri poashtu njoftoi se gjatë kësaj jave pritet të fillojë implementimi i projektit pët ndriçimin publik dhe të vendosen kamera sigurie.

JU REKOMANDOJMË