Pacolli: Data e zgjedhjeve ishte ‘’bingo’’ për Vetëvendosjen, diaspora u ndikua nga narrativa “antiserbe” e Albin Kurtit

Publikuar më:

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese në zgjedhjet e fundit, duke siguruar shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë së re.

Sipas rezultateve preliminare, LVV ka fituar mbi 50% të votave, duke e konsoliduar pozicionin e saj si parti kryesore në skenën politike.

Partitë opozitare, kanë regjistruar rezultate më të dobëta, duke u vendosur në pozita të ndryshme strategjike për koalicione të mundshme.

Fitore të dukshme ka pasur edhe pjesëmarrja e diasporës, e cila ka favorizuar në masë të madhe LVV-në, duke e ndikuar rezultatin përmes votës nga jashtë vendit.

Lidhur me rezultatin zgjedhor, ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli në një prononcim për “Front Online” tha se suksesi i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit nuk duhet parë si pasojë e vetme e mirëqeverisjes.

Pacolli ka deklaruar se çdo subjekt politik ka obligim ndaj shtetit dhe duhet të veprojë mbi bazën e interesit shtetëror.

“Unë nisem nga supozimi se çdo person apo parti politike ka obligime ndaj vendit dhe duhet të veprojë, para së gjithash, në frymën e interesit shtetëror. Çdo interes tjetër vjen pas tij. Kur flasim për rezultatin e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk duhet të besojmë se ai ishte vetëm produkt i mirëqeverisjes”, tha ai.

Sipas tij, edhe rezultati i VV-së është ndikuar ndjeshëm nga narracioni patriotiko-popullist i kryeministrit Albin Kurti.

“Këtij rezultati i është shtuar edhe narracioni patriotiko-populliste e Kryeministrit Albin Kurti, i cili ka pasur ndikim të madh te diaspora”, u shpreh Pacolli për Front Online.

Ai ka thënë se diaspora është ndikuar nga Kurti.

Pacolli ka shtuar se edhe koha e mbajtjes së zgjedhjeve ka shkuar në favor të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Pjesa ma e madhe  e diasporës nuk është e interesuar për problemet e përditshme të qytetarëve në Kosovë, por mendimi qe rrjedhe nga emocionet e tyre patriotike kryesisht për narrativen   “antiserbe” të Albin Kurtit. Edhe data e zgjedhjeve ishte, në një farë mënyre, “bingo” për Vetëvendosjen”, ka thënë Pacolli për “Front Online”.

 

Behgjet Pacolli: Opozita ‘’vallëzoi’’ sipas muzikës së Albin Kurtit

Ish-kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka kritikuar opozitën, duke thënë se ajo gjatë gjithë mandatit ka qenë e papërgatitur përballë qasjes populliste të kryeministrit Albin Kurti.

Sipas Pacollit, opozita ka “vallëzuar” sipas muzikës së Kurtit.

“Opozita gjatë gjithë kohës ka qenë tepër naive përballë punës së përditshme populliste të Albin Kurtit. Gjatë gjithë mandatit, ajo ka “vallëzuar” sipas muzikës së kryeministrit”, deklaroi Pacolli për “Front Online”.

 

Ish-presidenti Pacolli: Mbështetja e Qeverisë dhe Presidentit mund t’i kushtojë LDK-së ashtu si AKR-së

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka paralajmëruar LDK-në për rreziqet e mbështetjes së formimit të Qeverisë ose zgjedhjes së Presidentit.

“Nëse LDK ndihmon në formimin e Qeverisë apo mbështet zgjedhjen e Presidentit, kam frikë se mund ta ketë fatin e AKR-së, e cila ishte suportive për anashkalimin e çdo bllokade politike”, thotë Pacolli.

Ai ka folur edhe për rezultatin e zgjedhjeve të bashkëpunimit LDK-AKR.

“Nuk kam një mendim të prerë se çfarë duhet të bëjë LDK-ja, as në mbështetjen e Qeverisë dhe as të Presidentit. AKR ishte në koalicion me LDK-në dhe epilogun e pamë të gjithë”, ka deklaruar Pacolli për “Front Online”.

JU REKOMANDOJMË