Në Mitrovicë ka vetëm një temë: Trepça të enjten po bëhet kampion

Publikuar më:

Pa paralajmërim, Trepça në ora 16:00 të martën njoftoi se tashmë ishin në shitje biletat për ndeshjen e fundit me Pejën.

Një strategji të tillë e kishte ndjekur edhe për ndeshjen e tretë të serisë finale të plejofit. Kishte lëshuar njoftimin në Facebook në momentin që biletat dolën në shitje. Kjo u bë nga klubi mitrovicas me synim për të shmangur numrin e madh të atyre që presin për biletë.

Për ndeshjen e parë të finales së plejofit njoftimi për shitjen e biletave ishte publikuar një ditë më herët. U mblodhën shumë qytetarë në orët e hershme të mëngjesit dhe masa doli jashtë kontrolli. Dhe shitja e biletave u ndërpre.

Derisa për ndeshjen e tretë, të luajtur të enjten e kaluar, strategjia e lajmërimit të papritur ndezi deri diku, të martën nuk kreu punë. Me të publikuar njoftimin qindra qytetarë mitrovicas u mblodhën në hapësirën mes palestrës “Minatori” dhe dyqanit të klubit Trepça, përkatësisht urës kryesore të lumit Ibër.

Biletat u shitën shumë shpejt, ndërsa qindra qytetarë u larguan pa siguruar një të tillë.

“Ne u kërkojmë falje të gjithë tifozëve tanë të zjarrtë që nuk kanë siguruar biletë. Por është e pamundur. Është e pamundur”, ka thënë drejtori i klubit Trepça, Izet Tahiri.

Ndeshja vendimtare për titull të kampionit të Kosovës në basketboll luhet të enjten nga ora 20:00. Për herë të parë Trepça ka nxjerrë në shitje biletat dy ditë para ndeshjes. Dhe ato janë shitur shumë shpejt.

Interesimi për ndeshjen e pestë të serisë finale të plejofit është i jashtëzakonshëm. Krijohet ideja që tema e vetme në Mitrovicë është ajo ndeshje e basketbollit.

Pas katër ndeshjeve të para finale, rezultati është 2:2. Trepça i ka fituar dy ndeshjet në shtëpi e Peja dy ndeshjet në “Karagaçi”. Edhe palestra në Pejë ishte e stërmbushur me shikues. Por interesimi për basketbollin aktualisht në asnjë qytet nuk është si në Mitrovicë.

Te Trepça janë në hall. Pranojnë shumë thirrje për një biletë, për një ftesë e një vend në palestër. Përballja me qytetarët që jetojnë me Trepçën e që nuk kanë siguruar biletë, nuk është e lehtë.

“Kërkesa për një biletë është e paparë ndonjëherë në sportin kosovar. Ne si klub po sfidohemi seriozisht nga kërkesat shumë të mëdha për bileta. Fatkeqësisht nuk kemi mundësi të ofrojmë bileta as për 10 për qind të atyre që duan të jenë në palestër. Por kaq është kapaciteti i palestrës sonë të zjarrtë. Në anën tjetër skuadra po i vazhdon normalisht përgatitjet për ndeshjen vendimtare. Synimi natyrisht është fitorja. Skuadra është e përkushtuar për sukses dhe për të siguruar festë të paharruar për tifozët tanë të jashtëzakonshëm. Edhe njëherë u kërkoj falje të gjithë atyre që nuk do të mund të jenë në palestër”, ka shtuar Tahiri.

Trepça në plejof ka startuar nga pozita e katërt. Ka eliminuar Bashkimin e Sigal Prishtinën dhe tani po përballet me Pejën.

Interesimi në Mitrovicë për ndeshjet e basketbollit ishte i madh gjatë gjithë edicionit. Por kulmi është arritur në gjysmëfinalet me Prishtinën e sidomos në finale me Pejën.

JU REKOMANDOJMË