Konfliktet në familjet kosovare shumë herë eskalojnë në kanosje serioze e përleshje, për çka nevojitet ndërhyrja e Policisë. Të tilla incidente jo rrallëherë kanë përfunduar edhe tragjikisht.
Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur së fundmi në një familje në fshatin Hoçë e Qytetit në Prizren dhe këtë herë janë përfshirë dy familjarë, baxhanakë mes vete.
Siç merr vesh Sinjali, një mërgimtar po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht baxhanakun e tij, pas një mosmarrëveshje që kanë pasur me njëri – tjetrin.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari E.Xhahaj, e ka goditur viktimën me një mjet të fortë në kokë, duke i shkaktuar lëndime trupore dhe për pasojë përfundoi në spital.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se i dyshuari ia ka mbathur për në Gjermani pas sherrit që plasi në familjen e tyre.
Lidhur me këtë incident, është vënë në dijeni edhe Policia, me ç’rast janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetim.