Në një kohë kur lufta kundër kancerit kërkon reagim të shpejtë dhe trajtim të pandërprerë, disa pacientë janë ankuar se po përballen me mungesën e terapisë së kimioterapisë në momentet më kritike, duke theksuar se trajtimi i tyre po vonohet dhe nuk po merret në kohën e duhur.
Lidhur me pretendimet për vonesa apo mungesë të terapisë për pacientët e prekur nga kanceri, për “Front Online” ka folur drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi i cili ka sqaruar në detaje situatën aktuale dhe sfidat me të cilat po përballet ky sektor.
Kurtishi ka theksuar se institucioni që ai drejton mbetet i përkushtuar në ofrimin e trajtimit cilësor dhe të pandërprerë për pacientët me sëmundje malinje.
Sipas tij, furnizimi me barna për kimioterapi dhe imunoterapi në përgjithësi ka qenë i qëndrueshëm por herë pas here mund të ketë vonesa të përkohshme për produkte të caktuara.
“Sa i përket çështjes së furnizimit me barna për kimioterapi dhe imunoterapi, dëshirojmë të theksojmë se furnizimi në përgjithësi ka qenë i qëndrueshëm. Herë pas here mund të paraqiten vonesa të përkohshme në furnizim me disa produkte specifike, kryesisht për shkak të procedurave të prokurimit dhe faktorëve të tregut ndërkombëtar”, tha Kurtishi.
Drejtori i Onkologjisë: Barnat sigurohen sipas listës esenciale, jo detyrim për blerje nga pacientët
Sa i përket pretendimeve se pacientët po detyrohen të sigurojnë vetë barna në Klinikën e Onkologjisë, drejtori Ilir Kurtishi sqaroi se Klinika ofron trajtim në përputhje me listën esenciale të barnave dhe kapacitetet buxhetore.
“Theksojmë se Klinika ofron trajtim në përputhje me barnat e listës esenciale dhe kapacitetet buxhetore. Çdo vendim për sigurim të barnave jashtë këtij kuadri është individual dhe nuk përbën praktikë institucionale”, shprehet Kurtishi.
Ai tha se këto situata lidhen kryesisht me procedurat e prokurimit dhe faktorët e tregut ndërkombëtar.
“Klinika është duke menaxhuar situatën në mënyrë aktive dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përgjegjëse, me qëllim sigurimin e vazhdueshëm të terapisë për pacientët. Janë ndërmarrë masa për të identifikuar alternativa terapeutike të përshtatshme në rastet kur ka mungesa të përkohshme, duke u bazuar në protokollet bashkëkohore ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Drejtori nënvizoi se deri më tani nuk ka pasur ndërprerje të qëndrueshme apo sistematike të trajtimeve.
“Deri më tani, nuk ka pasur ndërprerje të qëndrueshme apo sistematike të trajtimeve për pacientët. Në raste të izoluara, mund të ketë pasur shtyrje të përkohshme ose riorganizim të terapisë, por gjithmonë duke ruajtur sigurinë dhe efikasitetin e trajtimit”, deklaroi Kurtishi.
Ministria e Shëndetësisë: 21 milionë euro buxheti për barna në Onkologji në 2026-ten
Mes ankesave të pacientëve për mungesë të barnave dhe vonesa në sigurimin e terapisë së kimioterapisë, Ministria e Shëndetësisë në një prononcim për “Front Online” ka reaguar duke theksuar se buxheti për Klinikën e Onkologjisë është rritur ndjeshëm ndër vite.
Sipas Ministrisë, në vitin 2019 buxheti për barna ka qenë 8.2 milionë euro, ndërsa në vitin 2024 ka arritur në 13 milionë euro.
Për vitin 2026, është planifikuar një rritje edhe më e madhe, duke kapur vlerën prej 21 milionë euro për barna onkologjike.
“Ju njoftojmë se buxheti për furnizimim me barna për Klinikën e Onkologjisë ka shënuar rritje të vazhdueshme ndër vite. Në vitin 2019, buxheti për barna në këtë klinikë ka qenë 8 milionë e 200 mijë euro, ndërsa në vitin 2024 është rritur në 13 milionë euro. Për vitin 2026, buxheti për barna onkologjike është planifikuar në vlerë prej 21 milionë euro”, thuhet në përgjigje.
Ministria ka sqaruar se përgjegjësia për menaxhimin e furnizimit me barna në institucionet shëndetësore sekondare dhe terciare i takon SHSKUK-së.
“Theksojmë se menaxhimi i institucioneve shëndetësore sekondare dhe terciare, përfshirë furnizimin me barna, bëhet nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), si organizatë vetëbuxhetore”, thuhet në përgjigjen e MSH-së./Front Online











