Kryetari i KQZ-së konfirmon se në qendrat e votimeve u hasën fletëvotime me shenja tek numrat e kandidatëve

Publikuar më:

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në konferencën për media foli për procesin e votimit në zgjedhjet e sotme parlamentare.

Ai përmendi probleme me energjinë elektrike në 6 qendra votimi në disa komuna dhe po ashtu prezencën e fletëvotimeve me shenja të dukshme në numra në qendrat e votimit në komunën e Rahovecit.

Radoniqi tha se kjo ka shkaktuar ankesa në radhët e Këshillave të Vendvotimeve.

“Sipas raportit të orës 11:00, në dhomën operative të KQZ-së janë raportuar probleme me mungesë të energjisë elektrike në 6 qendra votimi në Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan. Komisionet komunale të zgjedhjeve kanë njoftuar KEDS-in lidhur me këtë.

Po ashtu kemi pranuar njoftim nga Komuna e Rahovecit,  ku në qendrat e votimit është vërejtur se fletëvotimet kanë shenja të dukshme në numra. Kjo ka shkaktuar ankesa në radhët e Këshillave të Vendvotimit”, tha Radoniqi.

Siç raportoi sot gazeta online Reporteri.net, fletëvotime me shenja të dukshme tek numrat e kandidatëve janë vërejtur në qendrën e votimit në shkollën “Isa Boletini” në Rahovec, por edhe në qendrat e tjera të votimit.

Për çdo parregullsi apo shkelje eventuale që mund të hasni gjatë procesit zgjedhor të 28 Dhjetorit, mund ta raportoni në platformën “Raporto”, e cila funksionon në kuadër të gazetës online Reporteri.net.

JU REKOMANDOJMË