Ish-punëtorja e Trepçës akuzon Hasan Pretenin: “Heshtje ndaj padrejtësisë atëherë, reagim i vonshëm sot”

Publikuar më:

Ish-punëtorja e larguar nga ndërmarrja “Trepça”, Valdet Shabani i ka reaguar publikisht ndaj ish-sekretarit Hasan Preteni, duke e akuzuar atë për heshtje në kohën kur, sipas saj, janë bërë largime të padrejta nga puna.

Ajo thotë se reagimi i tij i tanishëm vjen me vonesë dhe në mënyrë të njëanshme, duke ngritur pyetjen pse nuk ka reaguar më herët kur, sipas saj, punëtorët janë përballur me padrejtësi.

“Pse atëherë nuk pate guxim të dalësh publikisht, por zgjodhe të ruash pozitën dhe rehatinë personale? Kur po bëheshin padrejtësitë ndaj nesh, ti heshtje. Zërin tonë nuk e çove as te Kryeministri Albin Kurti dhe as në institucione,” thuhet në reagimin e saj.

Ajo thekson se në atë kohë, punëtorët e larguar, sipas saj, janë ndjerë të pambështetur dhe pa përfaqësim institucional.

“Na latë vetëm. Sot po e thërret Albin Kurtin, por pse nuk e bëre atëherë për ne? Pse nuk i thirre mediat apo nuk reagove publikisht kur të kërkohej?” shprehet ajo.

Sipas saj, reagimi i sotëm lidhet me raste që e prekin personalisht ish-sekretarin, ndërsa për punëtorët e larguar më herët, nuk ka pasur mbështetje publike.

“Për ne që mbetëm pa punë, pa të ardhura dhe pa dinjitet, nuk pati asnjë fjalë publike. Kjo nuk është drejtësi, por interes personal,” thuhet më tej në reagim.

Ajo e mbyll komentin duke e cilësuar heshtjen e atëhershme si bashkëpërgjegjësi morale për situatën që, sipas saj, u është krijuar punëtorëve të larguar nga “Trepça”.

JU REKOMANDOJMË