Qendra Tregtare LUX MALL nuk kishte respektuar vendimin e Komunës për t’u mbyllur në orën 11:00 këtë të diel, duke punuar edhe pas kësaj ore.
Mirëpo, diku në orën 11:40 në dyqanet e tyre është dukur Inspektorati i Komunës, të cilët kanë bërë që të respektohet vendimi.
Blerim Hyseni, shef i Inspektoratit të Tregut, i ka thënë “Jepi zë” se vendimi është respektuar më pas nga LUX MALL, mirëpo fillimisht ka qenë një keqkuptim.
“Ne kemi qenë në LUX MALL, dhe ata kanë respektuar vendimin. Mirëpo kishte qenë një keqkuptim”, ka thënë ai.
E se kishte keqkuptim dhe për këtë kishte mbetur e hapur qendra, e thotë edhe menaxheri i kësaj qendre, Erdall Zasella. Ai ka thënë se në vendim nuk theksohet rregullimi për Qendra Tregtare.
“Këtë javë ne e kemi respektu vendimin e Komunës, ndërsa javën tjetër presim vendim final pasi që sipas ligjit komuna nuk e parasheh mbylljen e qendrave tregtare”, ka shkruar ai në adresën e “Jepi zë”.
Sidoqoftë, vendimi i Komunës për ndryshim orari gjatë sezonit dimëror, parasheh që dyqanet të punojnë vetëm deri në orën 11:00 gjatë të dielave./jepize.com