Goditet depoja kryesore e korporatës “Buçaj”, hajnat thyejnë kasafortën dhe zhduken me 45 mijë euro

Publikuar më:

Depoja kryesore e korporatës “Buçaj”, e vendosur përgjatë magjistrales Prishtinë–Shkup, në kilometrin e 10-të, në Lipjan, është bërë cak i një vjedhjeje të rëndë në orët e para të mëngjesit të 11 korrikut.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se grabitja ka ndodhur rreth orës 02:00, kur persona ende të paidentifikuar kanë depërtuar me forcë në objektin e kompanisë dhe janë drejtuar në hapësirat administrative.

Sipas informacioneve, autorët kanë thyer kasafortën që ndodhej në zyrë dhe prej saj kanë marrë 45 mijë euro para të gatshme, për t’u larguar më pas në drejtim të panjohur.

Rasti është zbuluar vetëm në mëngjes, rreth orës 08:20, kur punonjësit kanë vërejtur gjurmët e vjedhjes dhe kanë njoftuar Policinë e Kosovës.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë patrulluese, hetuesit e Stacionit Policor në Graçanicë, si dhe ekipet rajonale të hetimeve dhe forenzikës, të cilat kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe kanë mbledhur prova materiale.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se deklarata janë marrë nga viktima me inicialet G.A. dhe dëshmitari H.S., ndërsa inventarizimi i plotë i objektit po vazhdon për të verifikuar nëse, përveç shumës prej 45 mijë eurosh, janë vjedhur edhe sende të tjera me vlerë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, ndërsa deri më tani nuk ka persona të identifikuar.

Hetimet janë në zhvillim për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kësaj grabitjeje që i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme një prej kompanive më të njohura në vend.

JU REKOMANDOJMË