Trajneri Engin Gençoglu nuk ka dashur të japë më tepër informata për largimin e tij të papritur nga skuadra e Trepçës.
I kontaktuar nga KOHA të mërkurën, Gençoglu ka thënë se të gjitha pyetjet t’i drejtohen nënkryetarit të klubit, Lindrit Misini.
“Jo, nuk mund të informoj më shumë. Ju lutem thirreni Lindrit Misinin dhe bëjani të gjitha pyetjet”, ishte përgjigja e shkurtër e Gençoglut.
Largimi i trajnerit nga Turqia ishte i papritur dhe erdhi pak ditë pas humbjes së Trepçës nga skuadra e Pejës (107:79). Po ashtu, kjo situatë te Trepça ngjau një ditë para ndeshjes së tretë që Trepça e luan në Mitrovicë kundër Pejës.
Gençoglu erdhi në krye të Trepçës në janar të këtij viti dhe e udhëhoqi ekipin drejt triumfit në Kupën e Kosovës.