Një nga fermerët më të mëdhenj në Kosovë, Sadush Kabashi nga Gurrakoci i Istogut, ka shprehur pakënaqësi të thellë për gjendjen në sektorin e blegtorisë dhe mungesën e përkrahjes institucionale.
Kabashi, i cili posedon rreth 350 krerë lopë dhe grumbullon afërsisht 1,500 litra qumësht në ditë, thotë se është pranë vendimit për ta mbyllur fermën e tij pas shumë vitesh pune.
Përmes një reagimi publik, ai ka kritikuar rritjen e vazhdueshme të kostove të prodhimit dhe uljen e çmimit të qumështit, duke theksuar se fermerët po përballen me vështirësi të mëdha.
“Nuk e ka fajin as qeveria, as përpunuesit. Fajin e kemi ne që durojmë. Shtrenjtohet rryma, durojmë. Shtrenjtohet nafta, durojmë. Ulet çmimi i qumështit, durojmë. Jemi shndërruar në skllevër. Por jo më. Unë nuk vazhdoj as edhe një ditë të vetme. Shyqyr që ka kasap”, është shprehur ai.






