NË MBROJTJE TË ABDIXHIKUT Kusari-Lila: Po duan ta pengojnë që të mos arrijmë marrëveshje

Publikuar më:

Kusari-Lila ka thënë se grupi i LDK-së që kërkon shkarkimin e Abdixhikut është duke u përpjekur që ta pengojë finalizimin e marrëveshjes mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Mimoza Kusari-Lila, Ministre në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka thënë se grupi i Lidhjes Demokratike të Kosovës që po kërkon shkarkimin e Kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, po përpiqet që ta pengojë finalizimin e marrëveshjes mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.

“Ashtu e thotë logjika (se zhvillimet e brendshme në LDK çojnë më larg prej një marrëveshje për presidentin), nuk është që kam informata se cili është orientimi i grupimit tjetër që e duan tërheqjen e Abdixhikut. Por, duket se kjo e shtynë, e komplikon situatën në diskutim sepse në shumicën e rasteve përfaqësues të LDK-së që kanë kërkuar dorëheqjen kanë qenë ata që kanë kundërshtuar bashkëpunimin me VV-në. Këto dyja po shihen si të ndërlidhura përkundër që argumentimi është rezultati i zgjedhjeve”, ka thënë Kusari për emisionin “Konfront” që transmetohet në KTV.

Sipas Kusari-Lilës, “shihet qartë se përpjekja është për të mos u lënë për tu arritur një finalizim i një marrëveshje të përbashkët mes dy subjekteve”.

Të mërkurën, Abdixhiku theksoi se ka ndërprerë  angazhimet për formimin e institucioneve pas nismës për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit te partisë.

“Për shkak të kësaj nisme, më duhet t’ju njoftoj se detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës”, deklaroi Abdixhiku, disa ditë pasi që u takua me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të biseduar pikërisht për formimin e institucioneve.

Të mërkurën, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, dhe nënkryetari i Prishtinës, Florian Dushi, dorëzuan te Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së nënshkrimet e delegatëve që po kërkojnë thirrjen e Kuvendit të partisë për shkarkimin e Abdixhikut.

Në këto rrethana, për shkak të kësaj nisme, Abdixhiku theksoi se “nuk do të ishte as serioze dhe as e përgjegjshme që unë të vazhdoja të negocioja në emër të LDK-së, ndërkohë që mandati im për të udhëhequr dhe përfaqësuar atë, është vënë në diskutim nga brenda shtëpisë sime”.

Abdixhiku u shpreh i gatshëm për votëbesim në Kuvendin e LDK-së, për të cilin tha se e ka autorizuar Sekretarin e Përgjithshëm, Ilir Ferati, që të fillojë procedurat për mbajtjen e Kuvendit.

“Ndonëse plot 207 delegatë të tjerë nuk janë bërë pjesë e kësaj nisme, në respekt të plotë të statutit dhe të vullnetit të një të tretës së delegatëve tanë… kam autorizuar Sekretarin e Përgjithshëm që të nis menjëherë procedurat e menjëhershme për mbajtjen e këtij Kuvendi”, pohoi ai.

Pas verifikimit të plotë të nënshkrimeve, kreu i LDK-së deklaroi se Kuvendi do të caktohet “pa asnjë vonesë data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit”.

JU REKOMANDOJMË