Banorët e fshatit Mazhiq kanë reaguar publikisht, duke shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me mungesën e ujit të pijshëm dhe mënyrën se si, sipas tyre, është trajtuar kërkesa drejtuar kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Faton Peci.
Përmes një postimi publik, ata thonë se prej vitesh po kërkojnë vetëm një nevojë elementare – furnizimin me ujë të pijshëm – duke theksuar se nuk kanë bërë kërkesa politike apo sulme ndaj askujt.
Sipas reagimit, pasi publikuan kërkesën dhe tentuan ta kontaktojnë kryetarin Peci në faqen e tij zyrtare, administratori i faqes ua bllokoi qasjen.
“Ajo që më zhgënjeu më së shumti është se, pasi publikova kërkesën tonë dhe u përpoqa ta kontaktoja kryetarin Faton Peci, u bllokova në faqen e tij zyrtare. Për mua, kjo nuk është mënyra se si duhet të trajtohen qytetarët që kërkojnë zgjidhje për një problem jetik”, thuhet në reagim.
Banorët rikujtojnë gjithashtu se Mazhiqi ka qenë mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i Faton Pecit, duke shtuar se kanë pritur që kërkesat e tyre të dëgjohen e jo të injorohen.

Në fund të reagimit, ata u bëjnë thirrje bashkëfshatarëve që ta kujtojnë këtë rast kur të mbahen zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar se vota duhet t’u jepet atyre që, sipas tyre, dëgjojnë qytetarët dhe punojnë për zgjidhjen e problemeve të tyre.





