Dyshimet për çmimin e gurit vullkanik, Trepça pezulloi tenderin për gurëthyes

Publikuar më:

Kompania “Lirigzoni” kishte aplikuar në tenderin e hapur për të marrë në shfrytëzim gurëthyesin në Kishnicë.

E njëjta kompani kishte aplikuar në këtë tender me një çmim për një kubik guri 1 euro e 47 cent. Pronari i kësaj kompanie, Haki Haxhiu tregoi se tenderi në të cilin kanë aplikuar është pezulluar ndërsa nuk kanë marrë ndonjë arsyetim pse ka ndodhur një gjë e tillë.

“Nuk kanë dhënë arsye pse është pezulluar. Kemi kërkuar edhe qasje në dokumente dhe po presim me na dhanë qasje në dokumente”, vazhdon të tregoj Haxhiu deri sa shton edhe se ka kontaktuar edhe me kompaninë e cila më parë kishte në shfrytëzim të njëjtin gurëthyes.

Në fund të mandatit të ish- bordit të Trepçës, ishte zhvilluar një takim ku ishte vendosur që të pezullohej tenderi i cili ishte fituar nga kompania “Lirigzoni”.

Ish- kryesuesi i Bordit të Trepçës, Sylejman Hyseni ka treguar në një intervistë për KALLXO.com se cilat ishin arsyet e pezullimit dhe se kush i kërkoi atyre takimin.

“Lidhur me informatat për këtë gurthyes kemi marrë informacion me 15 prill të këtij viti kemi mbajt një takim ku na ka njoftu ushtruesi i detyrës së drejtorit. Ka dalë në tender gurthyesi e ka ardhë në një procedurë që nuk ka ditë çka me bë dhe ka kërkuar ndihmë si bord me bo një zgjidhje me i ndihmu për atë pjesë të gurthyesit”, tha Hyseni.

Ai shtoi edhe se tenderët e kaluar janë dhënë përmes sektorit të shitjes por që është kërkuar paraprakisht edhe një leje nga bordi.

“Na ka ardh në bord dhe ne kemi kërkuar që për shkak të rrethanave dhe procedurave sepse ato i ka zhvilluar departamenti i shitjes dhe ai departament nuk ka kërkuar leje në bord dhe ne kemi parë probleme që janë lidhë edhe me KPMM edhe ne nuk kemi pasur dosjen e tenderit dhe si bord kemi ardh në përfundim që kjo të pezullohet”, tregon tutje ish- kryesuesi i bordit Trepça, Sylejman Hyseni.

Sipas tij, kërkesa për mbajtjen e takimit për të vendosur në lidhje me tenderin ku kishte fituar kompania “Lirigzoni” ishte jo etike.

“Kjo është arsyeja që kam konsideruar si bord, që na mos me u marrë me këtë punë sepse është jo etike që në fund të mandatit të merremi me një vendim të tillë edhe për këtë arsye i jemi drejtuar edhe zyrës ligjore dhe të zgjidhet ky problem dhe të ardhmen mos të ketë probleme të tilla”, tregon tutje ai.

Në fund Hyseni pranon se kërkesën e takimin e kanë pasur nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit të Ndërmarrjes Trepça, Rafet Ibishi.

“Neve si bord nuk na është kërku leja nuk kemi qenë në dijeni për asgjë. Me të tregu të drejtën nuk jam shumë i informuar sepse nuk i kam të gjitha informacionet, të shtunën të dielën ka qenë ditë pushimi. Kjo është kërku nga ushtruesit të detyrës së kryeshefit, ka kërkuar ndihmë nga ne që t’i ndihmojmë në zgjidhjen e këtij problemi. Rafet Ibishi, po ka kërku mu diskutu si bord dhe me marr nga ne sugjerim”, tha Hyseni.

Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit të Ndërmarrjes Trepça, Rafet Ibishi u pyet edhe nëse ish kryeshefi i kaluar ishte bërë ‘kurban’ i këtij tenderi për dorëheqjen nga pozita e tij.

“Muzaqi ka dhënë dorëheqje për shkaqe shëndetësore unë nuk e di që ka dhënë dorëheqje për këtë. Trepça nuk është e imja, nëse ka dhënë dorëheqje për këtë arsye nuk po e di pse. Unë nuk jap dorëheqje nëse kam as edhe një kërcënim, ai duhet të jap dorëheqje në bazë të procedurave”, tha Ibishi.


Ish- Kryeshefi i Trepçës, Enes Muzaqi tregoi se për një kohë të gjatë dhënia me qera e hapësirave dhe pronave të paluajtshme të Trepçës janë bërë pa ndonjë rregullore.

“Në vitin 2021 është aprovu rregullorja për dhënie me qira nga bordi mbikëqyrës. Ka qenë hera e parë që në Ndërmarrjen Trepça është bërë njoftimi për dhënie me qira është bërë nga rregullorja”, tha Muzaqi.

Ai tha se nuk e di arsyen se pse është pezulluar tenderi i gurëthyesit në Kishnicë.

“Nuk e di pse e kanë dërgu në bord po besoj që kanë ndonjë arsye, duhet të merrni mendimin e anëtarëve të bordit. Rregullorja e specifikon saktë dhënien me qira të hapësirave të paluajtshme të ndërmarrjes Trepça. Nëse kryeshefi e ka parapa që bordi duhet të hyjë në këtë proces atëherë duhet me pyet bordin”, tha Muzaqi.

Kompania “Lirigzoni” kishte fituar tenderin për shfrytëzimin e gurit vullkanit, gur ky i cili konsiderohet i rrallë në Kosovë e që i njëjti përdoret për baza të asfaltit projekte të ndërtimeve të infrastrukturës.

Tenderi që kishte fituar e njëjta kompani ishte pezulluar nga ana e bordit të Ndërmarrjes “Trepça” ndërsa arsyet e pezullimit nuk janë bërë të ditura për kompaninë që kishte fituar të njëjtin tender.

Në emisionin e sotëm në #KallxoPernime është transmetuar hulumtimi i cili tregon si tenderi për gurin vullkanik nga viti 2009 deri në vitin 2015 në zonën afër Kishnicës i ishte dhënë në shfrytëzim kompanisë “Bejta Komerc”. Kjo kompani kishte paguar 1 euro e 20 cent për secilin metër kub të gurit që po e shfrytëzonte.

Pas kompanisë “Bejta Komerc” leja për shfrytëzimin e këtij materiali në një proces tenderues kishte kaluar te kompania “Nëntë Vëllezërit”. Në kohën kur ishte ndërruar kompania për shfrytëzim të gurit vullkanik, kishin aplikuar dy kompani, “Nëntë Vëllezërit” me çmim 50 cent dhe “As Trade” me çmim 35 cent.Të kontaktuar nga ekipi i emisionit, kompania ‘9 Vëllezërit’, nuk kanë dashur të komentojnë lidhur me ngjarjen. Ata kanë thënë se për momentin janë duke shfrytëzuar material të cilin janë duke e nxjerrë nga një pronë private të cilën e kanë me qera.

Hulumtimi zbardh se kontrata e parë me kompaninë “Nëntë Vëllezërit” ishte nënshkruar në vitin 2016 ndërsa e njëjta kishte operuar deri vitin e kaluar me disa aneks kontrata.

Kjo marrëveshje 4 vjeçare ka përfunduar në fillim të këtij viti pasi u hap tender i hapur ku jepej mundësia e aplikimit të më shumë kompanive që dëshirojnë të shfrytëzojnë gurin vullkanik.

“Në ndërmarrjen Trepça kemi konkuruar për një gurëthyes në Kishnicë. Gjatë procedurës së tenderimit kemi dalë më të mirët ku kemi jep çmimin më të lartë prej të gjitha ofertave dhe jemi në pritje të mëtutjeshme”, tregon Haxhiu.

Tutje ai vazhdon të tregoj për ofertat e dhëna në lidhje me shfrytëzimin e gurëthyesit në afërsi të Kishnicës.

“Normalisht brenda javës është dashtë me na nënshkru kontratën por nuk e di çfarë procedurash tjera është t`u zhvillu Trepça. Ne kemi ofru për një metër kub 1 euro e 25 cent pa TVSH, me TVSH 1 euro e 41 cent. TVSH kemi me pagu ne. Nuk e di pse nuk e kemi nënshkru kontratën, e kanë ndërru kryeshefin ka ardh një kryeshef tjetër para disa ditësh na kanë njoftu që bordi e ka pezullu këtë kontratë”, tregon tutje ai.

Haxhiu tregon edhe se vetëm çështja e gurthyesit në Kishnicë është ndërprerë e punët e tjera jo.


Rafet Ibishi U.D. i Drejtorit të Ndërmarrjes së Trepçës e ka cilësuar si gabim teknik çështjen e tenderit për gurëthyesin në Kishnicë.

Rafet Ibishi, U.D. i Drejtorit në Trepçë, FOTO: KALLXO.com
“Po, është e vërtetë që nga ana ligjore e ka fituar tenderin apo projektin por gabimi ose faji është te ne sepse edhe borxh edhe menaxhment që kemi shti në garë këtë aset të gurëve. Sepse ne nëpër kolegjiume kemi diskutu që me formu një komision dhe të gjitha objektet dhe me miratim të bordit të gjitha objektet që nuk i shfrytëzojmë me ja kriju mundësinë që nëse dikujt i nevojitet me i dhanë me qira. Bordi na ka aprvou këtë kërkesë”, thotë Ibishi.

Ai tutje tregon edhe për pronat e Trepçës të cilat jepen me qira ndërsa çmimet variojnë nga infrastruktura e objekteve që ka kjo ndërmarrje.

Ibishi shtoi edhe se një gurthyes nuk mund të jepet me qira por vetëm mund të shfrytëzohet.

Ai madje thotë se për rastin ishte njoftuar para se ta marrë pozitën e ushtruesit të detyrës.

“Në kuadër të saj e kanë shti edhe në Kishnicë një gurthyes edhe tash gurëthyesin nuk mundesh me dhanë me qira ai jepet në shfrytëzim. Mendoj se ka qenë një gabim teknik i stafit tonë që e kanë procedu atë. Unë në momentin që e kam pranu detyrën e kam ditë rastin e kam bisedu që është bërë një gabim sepse nuk mund të llogaris si dhënie në qira po është shfrytëzim dhe në bazë të çka mundesh me faturu atë? Edhe kryesisht për këtë, po them prapë që gabimi është te ne që e kemi shti në tender. Unë kam kërku nga bordi me më këshillu në këtë lëmi”, tregon tutje ai.

“Pa marrë parasysh që kam gabuar si Rafet nuk duhet me pësu Trepça. Gabimi është që ne kemi shpall tender sepse nuk mundesh me dhanë atë me qera. Ne nuk është dashtë me qit. Licencën e ka deri në vitin 2030, tash a me dhanë atë pronë na a me uzurpu krejt, ky e ka kontratën ky licencën dhe ta mbajnë peng asnjëri nuk punon a është dëm kjo i Trepçë”, vazhdon Ibishi.

JU REKOMANDOJMË