Dyshime për kurdisje edhe në futbollin e femrave, KFF Mitrovica çon një audio-incizim në Polici

Publikuar më:

Klubi i futbollit të femrave Mitrovica do të përballet të mërkurën me klubin e futbollit të femrave Hajvalia në finale të Kupës së Kosovës.

Njëherësh, këto janë dy rivalet më të mëdha në futbollin e femrave në Kosovë për momentin.

Pak minuta më parë, klubi mitrovicas e lëshoi një komunikatë befasuese, përmes së cilës tha se do të mundohet ta japë më shumë se maksimumin në fushën e blertë pasi përballë do ta ketë një kundërshtar që ndeshjet po mundohet t’i kryejë jashtë fushës së blertë.

Kryetari i KFF Mitrovica, Hajrullah Haxhiu në një rrëfim ekskluziv për “Gazetën Express” tregon se rivalja kryesore, Hajvalia, kishte tentuar ta kurdiste ndeshjen kampionale mes tyre, të luajtur dy muaj më parë.

Ai zbulon se klubi mitrovicas e posedon edhe një audio-incizim, të cilin e ka dërguar në Policinë e Kosovës, që e përfshin klubin kundërshtar, i cili, sipas Haxhiut, tenton ta blejë lojën mes tyre duke e shfrytëzuar së paku një futbolliste mitrovicase.

“Më 4 mars e kemi pasur ndeshjen në Prishtinë me rivalen tonë të vetme në kampionatin femëror, Hajvalinë. Vetëm një ditë para ndeshjes, një futbolliste e jona na ka njoftuar se tek ajo ka ndërhyrë klubi i futbollit Hajvalia me qëllimin për të na blerë lojtaren, pra që ajo t’ia lëshojë lojën. Falë profesionalizmit të lojtares, ne po besojmë që tentativa ka dështuar”, thotë Haxhiu për “Express”, i cili e vazhdon rastin e pretenduar skandaloz:

“Në fakt, lojtaren tonë e ka thirr një lojtare e Hajvalisë, e cila është prezantuar tek lojtarja e jonë si e autorizuar (dërguar) nga kryesia e klubit të Hajvalisë. Për këtë skandal ne kemi siguruar edhe audio-incizime, të cilat i kemi dorëzuar në Polici. Pra, rasti që atëherë është i denoncuar në Polici, te Krimet Ekonomike në Prishtinë. Unë nuk i di procedurat e tyre, por për ne ka vonesa në këtë drejtim sepse kemi pritur që Policia do ta procesonte më shpejt krejt këtë skandal”, shton kreu i klubit mitrovicas.

Ai tutje tregon se Federata e Futbollit është e njoftuar vetëm privatisht, sepse zyrtarisht nuk kanë mundur ta denonconin rastin edhe në FFK pasi që u është rekomanduar nga Policia që ta lënë këtë punë në dorën e tyre, në mënyrë që të mos dëmtohen hetimet.

Gjithnjë sipas Haxhiut, në ato audio-incizime përmenden edhe penalltitë.

Mitrovicasit dyshojnë se në këtë punë janë të përfshirë shumë persona dhe për këtë ai shtron shumë pyetje.

“Lojën ishim duke e humbur 0:1 përmes një penalltie të dyshimtë që ishte akorduar kundër nesh, por në fund kemi arritur ta barazonim disi rezultatin. Ne po presim që ky rast të zbardhet në tërësi. Nëse zbardhet rasti, atëherë do të dihet saktësisht se kush është i përfshirë në këtë skandal, me emra dhe me mbiemra. Do të dihet se kush nga kryesia e klubit i detyron futbollistet të bëhen pjesë e manipulimit. Se a ka trajnerë të përfshirë në këtë skandal dhe se a ka futbolliste të Kombëtareve të Kosovës dhe të Shqipërisë të përfshira në këtë skandal. Do të dihet se a është i përfshirë në këtë skandal edhe familjari i një referi të Superligës, e mbi të gjitha se kujt i është blerë një veturë e tipit Golf 7”, thotë Haxhiu.

Finalja e Kupës së Kosovës në konkurrencën e femrave është nxehur ende pa nisur. Mitrovicasit i akuzojnë kundërshtarët se po mundohen ta kryejnë lojën jashtë fushës, njëjtë siç kishin tentuar, sipas tyre, edhe në ndeshjen mes tyre në muajin mars

JU REKOMANDOJMË