Durmishi premtoi linja të reja autobusësh nga Mitrovica drejt pikave kufitare në veri, por mbi pesë muaj pas nisjes së fushatës, projekti mbeti i parealizuar
Në ditën e hapjes së fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, më 17 dhjetor 2025, ai paralajmëroi funksionalizimin e një linje të re të transportit publik nga Mitrovica drejt Jarinjës dhe Bërnjakut. Megjithatë, edhe pse kanë kaluar më shumë se pesë muaj, ky premtim nuk është realizuar.
Më 3 shkurt 2026, u hap një thirrje për subvencionimin e transportit publik nga Mitrovica drejt këtyre pikave kufitare, por edhe kjo iniciativë dështoi të konkretizohet në terren.
Qeveria e Kosovës kishte synuar të mbështeste operatorët ekonomikë përmes subvencioneve, me qëllim funksionalizimin e linjave që konsiderohen ekonomikisht joprofitabile. Sipas njoftimeve zyrtare, masa kishte për qëllim përmirësimin e qasjes në shërbime dhe lehtësimin e lëvizjes për qytetarët, veçanërisht në komunat veriore.
Oraret e publikuara parashihnin disa linja, përfshirë Mitrovicë–Jarinjë, Mitrovicë–Zubin Potok–Bërnjak, si dhe linja të tjera që lidhnin zona rurale si Kroi i Vitakut, Zhazha, Bistrica, Ceraja, Dolani, Banjsku, Ballabani, Pllandishta, Vuça, Soçanica dhe Dreni.
Megjithatë, pavarësisht planifikimeve dhe premtimeve, këto linja nuk janë vënë në funksion, duke ngritur dyshime se bëhej fjalë për një premtim elektoral pa zbatim konkret.






