Deshi ta korruptojë me 10 euro policin kosovar, qytetari e pëson duke u dënuar me 600 euro

Publikuar më:

Shtetasi i Republikës së Shqipërisë, Qamil Halilaj është dënuar më 600 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prizren, pasi në shqyrtimin e dytë e pranoi se zyrtarit policor në pikën kufitare në Vërmicë ia dha 10 euro ryshfet.

Në seancën e së mërkurës, Halilaj deklaroi se e ka kuptuar aktakuzën dhe se e pranon fajësinë për veprën e cila i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua nga mbrojtësi i tij, avokati Durim Nevzati e as nga prokurori Metush Biraj. Më pas, u aprovua nga gjykatësja Raima Elezi.

Sipas aktgjykimit të shpallur, Halilaj fillimisht u dënua me 200 euro gjobë dhe me burgim, por më pas edhe ky dënim i fundit iu zëvendësua në dënim me gjobë në shumën prej 400 euro. Kështu, Halilaj u dënua në total me 600 euro gjobë.

Ai gjithashtu obligohet që t’i paguajë 50 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit.

Më aktgjykim, gjykatësja mori vendim edhe për konfiskimin e kartëmonedhës në vlerë 10 euro, si mjet i kryerjes së veprës penale.

Në fund, e njëjta i njoftoi palët se kundër këtij vendimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 10 gusht 2021, e ngarkon Qamil Halilajn se më 6 gusht të këtij viti, në pikën kufitare në Vërmicë, i ofroi në mënyrë të drejtpërdrejtë zyrtarit policor të Kosovës pasaportën, në të cilën i kishte futur 10 euro, në mënyrë që ky i fundit të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në momentin kur zyrtari policor e pyet të pandehurin Halilaj se përse i kishte vendosur 10 euro në pasaportë, i pandehuri Halilaj i është drejtuar me fjalët “Janë për ju, për të pirë një kafe”. Me këtë rast thuhet se i njëjti është ndaluar nga policia ku edhe i janë sekuestruar përkohësisht dokumentet e tij personale, si dhe kartëmonedha prej 10 eurove.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën “Dhënia e ryshfetit “ nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, e cila është e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në pesë vjet.

JU REKOMANDOJMË