Dënohet me burgim të përjetshëm kosovari që vrau gruan me 14 plumba

Publikuar më:

Bajram Velija, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij me 14 plumba, Armenda Aliu Velija, është dënuar me burgim të përjetshëm.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati i palës së dëmtuar, Arianit Koci, përmes një postimi në Facebook.

“Vrasësi i gruas së vet, Armenda Aliu Velija, u dënua me burgim të përjetshëm. Gjykata, ashtu si e kam propozuar në cilësinë e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, e ka dërguar porosinë në shoqërinë tanë: tash e tutje, vrasjet e grave do të dënohen maksimalisht. Përndryshe, ky vendim i guximshëm po e kthen besimin në sistemin e drejtësisë”, ka shkruar Koci.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 28 shkurt 2020, Bajram Velija akuzohet se më 6 gusht 2019, në lagjen “Jeta e Re” në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes-bashkëshorten e tij, A.A.

Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshje paraprake me viktimën, në momentin kur viktima po largohej nga shtëpia e tyre, i pandehuri pajiset me një pistoletë dhe në dalje të shtëpisë ka shtënë 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, duke e goditur të njëjtën 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit.

Pas kryerjes së këtij veprimi, i pandehuri bashkëshorten e tij e mbulon me një fustan të saj dhe pret ardhjen e policisë.

JU REKOMANDOJMË