Udhëheqësja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka rikujtuar ngjarjet e 10 shkurtit 2007 në Prishtinë, duke theksuar se demonstrata e asaj dite u organizua kundër gjashtë padrejtësive të Pakos së Ahtisaarit, të cilat, sipas saj, vazhdojnë të rëndojnë padrejtësisht mbi Kosovën.
Sipas Mihalit, demonstrata e 10 shkurtit përfaqëson një nga ngjarjet më thelbësore në historinë e të drejtës për vetëvendosje dhe për pavarësi pa kushtëzime, pa gjymtime dhe pa shtrëmbërime politike.
Ajo rikujtoi se gjatë ndërhyrjes së Policisë së UNMIK-ut, protestuesit Arben Xheladini dhe Mon Balaj u qëlluan në kokë dhe u vranë. Po ashtu, Hysni Hyseni u plagos rëndë dhe mbeti i verbër në syrin e djathtë, ndërsa Zenel Zeneli u qëllua në qafë dhe gjoks, duke mbajtur ende plumbin afër zemrës për shkak të pamundësisë për ndërhyrje kirurgjike. Mustafë Nerjova, sipas saj, ka një pjesë të kafkës të zëvendësuar me material plastik si pasojë e plagëve nga plumbat.
Mihali theksoi se edhe Glauk Konjufca dhe Liburn Aliu u qëlluan në fytyrë, ndërsa gjithsej 82 persona u plagosën, disa rëndë e disa lehtë. Ajo shtoi se 17 protestues u arrestuan, në mesin e tyre edhe dy nëna të personave të pagjetur.
Në deklarimin e saj, Mihali kritikoi mungesën e drejtësisë, duke theksuar se policët rumunë të përfshirë në këtë rast nuk janë gjykuar dhe dënuar asnjëherë, ndërsa drejtuesi i atëhershëm i Policisë së UNMIK-ut, Steven Curtis, nuk ka mbajtur përgjegjësi.
Ajo rikujtoi gjithashtu se pas demonstratës, në një aksion të ashpër policor, në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje në Pejton u arrestua Albin Kurti, i cili u mbajt për muaj të tërë në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Sipas saj, misioni EULEX e hapi këtë rast si çështjen e parë gjyqësore në janar të vitit 2010, ndërsa procesi u mbyll përfundimisht në qershor të po atij viti.






