Bllokohen rreth 1500 infuzione në Spitalin e Mitrovicës, dyshime për cilësinë

Publikuar më:

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se Inspektorati Farmaceutik ka urdhëruar bllokimin e rreth 1 mijë e 500 infuzioneve “Compound Sodium Lactate Intravenous Infusion BP 500 ml”, shkaku i dyshimeve lidhur me cilësinë e produktit.

Bllokimi është bërë deri në përfundimin e analizave laboratorike dhe procedurave përkatëse vlerësuese.

“Më 17.06.2026, Inspektorati Farmaceutik ka kryer inspektim në barnatoren e spitalit, ku është verifikuar gjendja e raportuar për produktin në fjalë. Përmes procesverbalit, Inspektorati Farmaceutik ka urdhëruar bllokimin e 1,432 njësive të produktit medicinal Compound Sodium Lactate Intravenous Infusion BP 500 ml deri në përfundimin e analizave laboratorike dhe procedurave përkatëse vlerësuese. Natyra e gjetjes do të përcaktohet pas përfundimit të analizave laboratorike dhe vlerësimeve profesionale nga institucionet kompetente, dhe do të ju njoftojmë për rezultatet përkatëse pas përfundimit të këtyre procedurave”, theksohet në njoftim.

“ShSKUK mbetet e përkushtuar në ruajtjen e shëndetit publik dhe sigurisë së pacientëve. Në funksion të mbrojtjes së shëndetit të pacientëve dhe garantimit të cilësisë së produkteve medicinale që përdoren në institucionet shëndetësore, do të vazhdojmë të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme në përputhje me rekomandimet dhe vlerësimet e institucioneve kompetente”, përfundon njoftimi.

JU REKOMANDOJMË