Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekretuar të mërkurën 17 gjyqtarë me mandat fillestar, në bazë të propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se dy nga 17 gjyqtarët e dekretuar janë të komunitetit serb. Në mesin e gjyqtarëve që u dekretuan nga komuniteti serb ishte edhe Igor Stojkovic, i cili ka qenë i angazhuar si jurist në Qendrën për Ndihmë Juridike Falas të Institutit të Kosovës për Drejtësi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Nga gjyqtarët e dekretuar, 15 janë nga komuniteti shqiptar dhe 2 nga komuniteti serb. Gjatë ceremonisë së betimit në Presidencë, gjyqtarët e rinj u zotuan se do t’i qëndrojnë besnikë Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, do të respektojnë etikën profesionale dhe do ta ushtrojnë detyrën e tyre me integritet, profesionalizëm dhe paanshmëri”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se U.D. Presidentja Haxhiu me këtë rast theksoi se marrja e detyrës së gjyqtarit është përgjegjësi e madhe publike, sepse vendimet gjyqësore prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
“Ajo uroi që gjatë mandatit të tyre gjyqtarët të jenë të pavarur nga çdo ndikim politik, financiar apo personal, duke theksuar se drejtësia nuk negociohet”, njofton Presidenca.







