Beqiragiq: Vitin tjetër do ta festojë titullin me Trepçën

Publikuar më:

Në momentin që është kontaktuar nga Trepça, trajneri Adis Beqiragiq e ka pasur parasysh se synimi i madh i ekipit nga Mitrovica është titulli i kampionit në Superligën e Kosovës në basketboll. Këtë synim të Trepçës, Beqiragiq beson se do ta përmbushë në edicionin 2023/24, në të cilin do të jetë në krye të ekipit mitrovicas.

Trepça nuk e ka fituar titullin e kampionit prej vitit 2012, ndërsa në dy edicionet e fundit është mposhtur në finale të plejofit. Në vitin 2022 u mposht nga Golden Eagle Ylli, ndërsa këtë vit nga Peja, skuadra që festuan titullin në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

Boshnjaku Beqiragiq është njëri prej trajnerëve më të suksesshëm të huaj në Kosovë. Ka fituar dy tituj kampioni me Yllin. Me Pejën triumfoi në Kupën e Kosovës dhe Trepça do të jetë ekipi i tretë i Beqiragiqit në basketbollin kosovar.

Në një intervistë të mërkurën për KOHËN, Beqiragiq ka thënë se është i gatshëm për sfidën e radhës, ndonëse ka pranuar se nuk do të jetë e lehtë. Ai beson që vitin tjetër do ta festojë titullin me Trepçën, i cili do të ishte i treti për selektorin e Bosnjë-Hercegovinës.

“Sigurisht, synimi i vetëm i Trepçës në edicionin e ri është ta fitojë titullin e kampionit dhe nuk ka diskutim aty. Pavarësisht të gjitha rezultateve apo arritjeve, titulli është më i rëndësishmi dhe shpresoj ta arrijmë këtë sukses edhe pse duhet pranuar se do të jetë shumë vështirë”, ka thënë Adis Beqiragiq. “Mirëpo, ne do të përgatitemi dhe do të jemi gati në të gjitha aspektet për ta kthyer titullin në Mitrovicë pas një kohe të gjatë. Trepça meriton një gjë të tillë duke pasur parasysh historinë dhe organizimin e klubit”.

Trepça e ka nisur menjëherë krijimin e ekipit për edicionin e ri me trajnerin Beqiragiq, të cilin e zyrtarizoi të martën, vetëm pesë ditë pasi u mbyll edicioni 2022/23 në elitën e basketbollit kosovar. Trepça është prej skuadrave që vitet e fundit e para e kompleton përbërjen dhe fillon përgatitjet për të qenë plotësisht gati që të arrijë synimet që ka. Edicionin e përfundoi me humbje në ndeshjen e pestë të serisë finale ndaj Pejës, e cila u shpall kampione me rezultatin e përgjithshëm 3:2./Kohanet

JU REKOMANDOJMË