Vajza e Gani Kocit ka shprehur mirënjohjen e saj të thellë për të gjithë qytetarët, familjarët, miqtë dhe bashkatdhetarët që kontribuuan në fushatën për mbështetjen e trajtimit të babait të saj.
Përmes një mesazhi emocional, ajo tha se familja nuk mund të gjejë fjalët e duhura për të falënderuar të gjithë ata që u bënë pjesë e betejës së Gani Kocit, duke theksuar se ndihma e tyre u dha shpresë në momentet më të vështira.
“Kur babai ynë kishte më së shumti nevojë për ndihmë, shteti nuk ishte aty. Por ishit ju… njerëzit”, shkroi ajo.
Sipas saj, në fushatën e organizuar përmes GoFundMe dhe përmes ndihmave të tjera, qytetarët kontribuuan me shuma të ndryshme, nga 5 deri në 5 mijë euro, por vlera e tyre nuk u mat me shumën e parave, por me zemrën dhe solidaritetin që treguan.
Ajo falënderoi gjithashtu të gjithë ata që shpërndanë thirrjen për ndihmë, telefonuan apo u lutën për shërimin e babait të saj, duke theksuar se çdo gjest ishte një burim force për familjen.
Në fund të mesazhit, vajza e Gani Kocit bëri të ditur se familja do të vazhdojë ta informojë opinionin për ecurinë e trajtimit, duke shprehur shpresën se së shpejti do të mund të ndajë lajmin se beteja e tij me sëmundjen është fituar.






