“Babai im bënte tri punë për ta mbajtur familjen”: Muja vjen me një rrëfim të rrallë për gazetën belge

Publikuar më:

Arbnor Muja arriti që të zhbllokohet javën e kaluar për Antwerp, duke shënuar gol ndaj St. Liege në Kupën e Belgjikës. Sot, ai ka bërë një rrëfim të veçantë për gazetën e famshme belge “HLN”.

Ish-sulmuesi i Trepçës ’89, Skënderbeut dhe Dritës, Arbnor Muja, ka përjetuar një gëzim të madh javën e kaluar, kur arriti ta gjente më në fund golin e parë me skuadrën e re të Antwerpit, duke shënuar në 1/8 e Kupës së Belgjikës kundër St. Liege, në fitoren bindëse që ekipi i tij e arriti me rezultat 4:0.

Muja foli për shumëçka për gazetën e famshme belge “HLN”, duke rrëfyer edhe anët tjera të medaljes, të kaluarën e tij dhe atë të familjes.

“Për shkak të luftës në Kosovë familja ime ka jetuar për pak kohë në Gjermani. Atje kam lindur (në Gjermani). Pas luftës, isha gati 3-vjeç. U kthyem në Kosovë. Gjithçka ishte shkatërruar”, shpjegoi ai.

Muja ndër të tjera tregoi që nuk është e lehtë të jetohet në Kosovë, marrë parasysh gjendjen ekonomike që jo gjithmonë mund të cilësohet si shumë e mirë.

“Edhe tani jeta në Kosovë nuk është aspak e lehtë, sepse situata ekonomike nuk duket shumë e ndritur. Dikur babai im mbante deri në tri vende të punës për mirëqenien familjare”, potencoi ai.

Për gazetën belge Muja e tregoi edhe historinë e veçantë familjare në kontekst sportiv, pasi përveç tij, ai ka edhe vëllain që është futbollist. Bëhet fjalë për Ardian Mujën, njëherësh kapitenin e Trepçës ’89.

“Në përgjithësi kam tre motra dhe një vëlla. Vëllai është gjithashtu një futbollist profesionist. Kam luajtur së bashku me Ardianin për një vit të tërë në ekipin e parë të Trepçës ’89, që është klub i qytetit tonë të lindjes, Mitrovicës. Ka qenë ndjesi e bukur të luaja përkrah vëllai tim”, tregoi ai.

Ardiani kishte udhëtuar ditë më parë në Belgjikë për ta parë nga afër vëllain e tij, mu në ndeshjen kur ai shënoi edhe golin e parë me Antwerpin.

24-vjeçari shpjegoi prapaskenat edhe para se ai të nënshkruante për Antwerpin dhe si kishte shkuar gjithë kjo ngjarje.

“Antwerpi na eliminoi pas një ndeshje intensive. Në brendi të stadiumit e takova presidentin e Dritës, me të cilin gjithmonë kisha një raport të mirë”, tha ai.

Muja rrëfeu se çfarë i kishte thonë presidenti i klubit gjilanas: “Më tha ‘kam një lajm për ty. Po transferohesh në Antwerp’. Mendova që ishte duke bukur shaka. Pastaj e pashë një delegacion të udhëhequr nga drejtori ekzekutiv i Antwerpit që më pritste pak hapa më tej.”

Sulmuesi kosovar mu në atë moment kishte kuptuar që njëmend nuk ishte shaka, por që një transferim i tillë po ndodhte.

“Në atë moment e kuptova dhe thashë: ‘Kjo qenka e vërtetë.’”, tha ai.

“Marc Overmars dhe Sven Jaecques më kanë shpjeguar në formë të shkurtër se cilat ishin planet e tyre për mua dhe nuk hezitova as për një sekond të vetëm. E kam parë transferimin në Antwerp si një mundësi jetësore”, përfundoi ai.

Siç ishte edhe e pritshme, kalimi nga Drita tek Antwerpi domosdo nuk ishte i lehtë për Mujën. Ai filloi një etapë komplet të re, në një futboll e sistem më ndryshe seç ishte mësuar të luante në Kosovë.

Tek më 2 tetor arriti që ta lënte anash lëndimin në këmbë, duke luajtur për 46 minuta në humbjen e parë të Antwerpit kundër Kortrijk me rezultat 2:1 në kampionat, pas një serie prej nëntë fitoreve rresht.

Vetëm në dy ndeshjet vijuese në kampionat kishte arritur që të luante si startues. Më pas, për shkak të paraqitjeve jo bindëse, u la në stol.

Ndeshjet e kupës janë ato që i kanë dhënë më shumë kënaqësi ish-sulmuesi të Dritës dhe Trepçës ’89. Para këtij rrethi kualifikues, në rrethin paraprak ai kishte shënuar nga pika e bardhë në njërën prej penalltive ndaj Beveren, me anë të cilave Antwerp siguronte kualifikimin në 1/8 e finales së Kupës.

Ajo ishte vetëm shkëndija e parë, pasi pikërisht sot, gjithmonë në Kupën e Belgjikës, arriti ta gjejë edhe golin e parë me fanellën e klubit të tij.

JU REKOMANDOJMË