Auditori gjen një “mal” me vrejtje për stadiumin “Adem Jashari”, ministria thotë se ka ndarë parat por punimet nuk po shihen 

Publikuar më:

Probleme me shpronësimin, vonesa në zbatimin e punëve si dhe plotësimin e kushteve kontraktuale janë disa nga të gjeturat e raportit të Zyrës së Auditorit për stadiumin “Adem Jashari në Mitrovicë”.

Tek pjesa për stadiumin “Adem Jashari”, përmendet mundësia që Kombëtarja e Kosovës në futboll të detyrohet t’i zhvillojë ndeshjet në një shtet të rajonit, nëse nuk përfundojnë punimet në këtë stadium.

“Deri në periudhën sa ne ishim në auditim, MKRS-ja ende nuk kishte plotësuar parakushtet për të siguruar lejen ndërtimore dhe si rezultat i kësaj punët ndërtimore nuk kanë mundur të zhvillohen sipas planit dinamik për shkak se ato ishin ndërprerë nga Inspektorati i MMPHIsë në muajin prill 2022. Mos sigurimi i lejes së ndërtimit ka ndikuar që realizimi i punimeve mos të bëhet në përputhje me kontratën dhe planin dinamik e që ka rezultuar me vonesa të dukshme në fillimin e punimeve për renovimin e stadiumit. Si rezultat i mos sigurimit të lejeve të nevojshme deri më tani, shfaqet shqetësimi se përfundimi i plotë i projektit dhe funksionalizimi i tij nuk do të ndodhë brenda një periudhe optimale kohore. Kjo rrit rrezikun që Kombëtarja e Kosovës në futboll për shkak të ngarkesës të stadiumit të vetëm i cili i përmbush kriteret e UEFA-së të detyrohet që ndeshjet t’i zhvillojë në një shtet të rajonit. Po ashtu, kjo ndikon që edhe klubet sportive, tifozët dhe publiku i gjerë, ende të mos kenë mundësinë që të zhvillojnë aktivitetet e tyre sportive dhe rekreative në këtë stadium. “, thuhet ndër të tjera në raport.

Aty përmenden edhe probleme me shpronësimet.

“Mos trajtimi i çështjeve pronësore para nënshkrimit të kontratës për renovimin e stadiumit dhe mungesa e komunikimit të duhur ndërinstitucional ka ndikuar në mos trajtimin e çështjes së shpronësimit me kohë. Si rezultat i kësaj, MKRS-ja ende nuk e ka përfunduar shpronësimin e pronave dhe bashkimin e tyre në një titullar”, thuhet tutje.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se kanë shkëputur kontrata e operatorëve për shkak se nuk i kishin kryer punimet sipas kontratave të lidhura dhe kanë nisur procedurë të re të prokurimit.

Ndërsa për stadiumin “Adem Jashari”, Çeku theksoi se tashmë janë kaluar të gjitha pengesat dhe se janë ndarë rreth 13 milionë euro për renovimin e tij.

I pari i MKRS-së ka theksuar se kjo ministri është e gatshme të paguajë para shtesë për operatorët që kryejnë punët me kohë dhe kanë nevojë për buxhet shtesë për shkak të punimeve që mund të nevojiten.

JU REKOMANDOJMË