Tregu i komunitetit në urën e Ibrit bashkon të gjithë

Publikuar më:

Nadire Hasani dhe Lilana Drazheviq janë disa nga gratë që ekspozuan produktet e tyre në “Tregun e komunitetit” në urën kryesore mbi lumin Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut.

Kjo urë shpesh ishte vendi i përleshjeve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, kështu që në vend që t’i bashkonte njerëzit, u bë simbol i ndarjes etnike në Kosovë.

Qyteti i Mitrovicës u nda pas luftës në Kosovë në vitet 1998/1999. Sot janë dy komuna të ndara, Mitrovica e Jugut me shumicë shqiptare dhe Mitrovica e Veriut ku shumica e banorëve janë serbë.

Mirëpo, këtë të premte të 26 prillit, në urën mbi Ibër mund të shihej një pamje paksa ndryshe: çanta shumëngjyrëshe të grave, të punuara me dorë, bizhuteri, lule, zbukurime të ndryshme dhe kryesisht shitëse gra nga komunitete të ndryshme etnike.

Kjo ngjarje është pjesë e Aktivitetit të Pajtimit dhe Transformimit të Konflikteve, i zbatuar nga Community Building Mitrovica dhe partnerët dhe e mbështetur nga USAID Kosovo.

JU REKOMANDOJMË