Aktakuzë për aferën e fajdeve: Currit dhe Gorillës me shokë u konfiskohet pasuria

Publikuar më:

Departamenti i Krimeve të Rënda nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë kundër Ismet Osmani-Curri, Ilir Bojku, Adil Thaqi, Mentor Maqani dhe Sami Nika.

Ata akuzohen për veprat penale “Fajdeja”, “Mashtrimi” dhe “Detyrim”.

Në bazë të aktakuzës, Sami Nika, Ismet Osmani dhe Ilir Bojku nga fundi i vitit 2013 deri në shtator të 2015-ës, kanë kryer veprën penale “Fajde” me qëllim përfitimin.

Kurse i pandehuri Mentor Maqani, ka kryer veprat “Fajde”, “Mashtrim” dhe “Detyrim”, po ashtu me qëllim për përfitime për tu pasuruar.

Prokurori i çështjes, ka kërkuar nga gjykata kompetente të konfiskohen pasuritë e luajtshme dhe kjo pronë t’i kthehet pronarit të ligjshëm.

Pronari i disa bastoreve dhe kazinove, Ismet Osmani, i njohur si “Curri” nga Mitrovica, biznesmeni Rrahim Hashimi dhe tre të tjerë ishin arrestuar nga Policia e Kosovës, me dyshimin se kanë kryer veprën penale të fajdesë dhe atë të detyrimit.

Për Currin, dhe të tjerët, rëndojnë dyshimet se përfituan jashtëligjshëm para në vlerë prej më shumë se 2.5 milionëve, ndërkohë që dëmi i përgjithshëm duke përfshirë edhe prona, kalon 6 milionë.

JU REKOMANDOJMË