Aksion i Policisë në veri, një serbi i kapen armë e flamuj

Publikuar më:

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në veri të vendit, ku gjatë kontrolleve në Leposaviq dhe Vushtrri ka sekuestruar armë, municion, bomba tymuese dhe flamuj me mbishkrime provokuese. Një person i nacionalitetit serb është intervistuar, ndërsa rasti po hetohet në procedurë të rregullt.

Sipas njoftimit të Policisë, më 8 korrik 2026, zyrtarët e Sektorit të Hetimeve Rajonale në Mitrovicë Veri, në koordinim me zyrtarët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, kanë siguruar informacione se A.A. (1997), me vendbanim në Leposaviq, posedonte armë ilegale.

Pas pranimit të informatave, policia ka kryer kontrolle në dy lokacione në komunën e Leposaviqit dhe një lokacion në komunën e Vushtrrisë.

Screenshot

Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar:

një flamur me mbishkrimin “Kosovo je Serbia”;
dy bomba tymuese;
një pistoletë me gaz së bashku me një karikator;
një armë e gjatë AK-47;
një karikator i mbushur me 30 fishekë.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

I dyshuari është intervistuar nga hetuesit dhe, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.

JU REKOMANDOJMË