Agim Bahtiri amniston drejtorin e shkollës që bleu pajisje në biznesin e tij privat

Publikuar më:

Komuna e Mitrovicës e udhëhequr nga Agim Bahtiri nuk e ka vlerësuar si shkelje faktin që një drejtor shkolle në këtë komunë bleu paisje për shkollën, në biznesin e tij.

Ish-kandidati për asamblist në komunën e Mitrovicës nga Aleanca Kosova e Re, Gani Rama, tani Drejtori i Shkollës së Mesme të Lartë të Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda” në Mitrovicë, në fund të muajit mars të këtij viti kishte blerë pajisje për shkollë në biznesin e tij privat.KALLXO.com raportoi për këtë rast më 23 tetor. Në xhirimet e publikuara, drejtori Rama e pranon se kishte blerë pajisje nga biznesin e tij privat.

Ndërsa, ai dëgjohet duke përdorur fjalë ofenduese dhe po ashtu kishte penguar ekipin për xhirime jashtë rrethojave të shkollës.Megjithatë, Gani Rama nuk ka marrë asnjë ndëshkim nga drejtoria e Arsimit në Komunën e Mitrovicës e cila udhëhiqet nga ish- anëtari i AKR-së, Agim Bahtiri, tani në Lëvizjen Vetëvendosje.

Gani Rama, Kandidat për Asamblistë nga AKR, 2017
Në një përgjigje, zyra për medie ka thënë se një komision i formuar nga tre anëtarë, dy drejtorë shkallash dhe një zyrtar nga DKA-ja e ka trajtuar rastin e drejtorit, Gani Rama.

“Komisioni ka pasur për qëllim përgatitjen eventuale të procedurës disiplinore paraprake, përmes të cilit ka verifikuar gjendjen faktike. Komisioni ka intervistuar drejtorin e shkollës dhe në konsultim me organet e tjera të shkollës ka shqyrtuar gjithë dokumentacionin që është lidhur me çështjen në fjalë”, thuhet në përgjigje.

Komisioni vlerësoi se drejtori Rama nuk ka bërë asnjë shkelje të kompetencave dhe nuk ka ngritur asnjë procedurë disiplinore.“Me këtë rast komisioni ka dalur me një raport konstatues në të cilin thuhet se nuk ekzistojnë veprime për shkeljen e detyrimeve, të cilat burojnë nga ligjet dhe kontratat e punës të drejtorit të shkollës, prandaj nuk kanë gjetur arsye për ngritje të procedurës disiplinore”, thuhet tutje në përgjigjen e Komunës së Mitrovicës.

Komisioni ka vlerësuar se drejtori i shkollës nuk kishte bërë sjellje të mirë ndaj gazetarit për të cilët thuhet se ishte e rastësishme dhe emotive.
“Sjellja e tij jo e mirë ndaj gazetarit ka qenë e rastësishme dhe emotive, thuhet në raportin e komisionit. Po ashtu komisioni kanë konstatuar se drejtori kishte ndihmuar herë pas here pa kompensim shkollën me pajisje mjekësore nga biznesi i tij”, thuhet në fund të përgjigjes.

Agim Bahtiri dhe Gani Rama
Komuna e Mitrovicës, Drejtoria e Arsimit kishte paralmëruar masa ndaj drejtorit i cili bleu pajisje për shkollë në biznesin e tij privat.

Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Egzon Jashari, kishte thënë se do të merren masa në bazë të ligjeve në fuqi.“Rastin konkret jemi tu e analizu, jemi duke i mbledh faktet sa i përket konstatimeve. Po besoj që me kohë do të informohen edhe publiku për hapat e mëtutjeshme. Pra, jemi në fazën e grumbullimit të informacioneve”, deklaroi Jashari për KALLXO.com.
“Ligjet dhe Udhëzimet Administrative që na përcaktojnë veprimet që duhet me u ndërmarrë, në këtë fazë ende nuk i kemi përfunduar të gjitha informacionet që e determinojnë ose e përcaktojnë vendimin, por janë ligjet të cilat e përcaktojnë se si të veprohet në raste të tilla”, tha tutje ai.KALLXO.com posedon kontratën dhe faturën e blerjes nga shkolla të tri pajisjeve në vlerë prej 95 euro. Pajisjet të cilat i ka blerë janë “Aparat Tensioni Microlife”, 4 copë, “eBsensor Glukometer- Aparat”, 4 copë dhe “Ebsugar traka- test strips 50 pcs”, 2 copë.

Vlera e përgjithshme e këtyre mjeteve sipas faturës është 95 euro.Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), biznesi me emrin “Gentiana- Lutea” është në emrin e Gani Ramës, si pronar.

Gani Rama ishte edhe kandidat për asamblist në zgjedhjet lokale të 2017 në qytetin e Mitrovicës në partinë Aleanca Kosova e Re, parti kjo nga e cila ishte edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

JU REKOMANDOJMË