Politikani serb u kërkon falje shqiptarëve për deklaratën e ministres serbe

Publikuar më:

Ministrja serbe, Snezana Paunoviq, ka nxitur reagime të shumta pas deklaratës së saj se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do të kishte nisur “spastrimin etnik të Kosovës që në vitin 1998”.

Lidhur me këtë deklaratë ka reaguar politikani liberal serb, Çedomir Jovanoviq, i cili ka kërkuar falje për fjalët e ministres dhe ka thënë se deklarata të tilla dëshmojnë pasojat e nacionalizmit ekstrem.

Në një intervistë për Gazetën Express, Jovanoviq ka thënë se shqiptarët dhe serbët e Kosovës janë viktima të politikave nacionaliste.

“Ministrja serbe Snezana Paunoviq me deklaratën e saj vetëm sa konfirmoi se serbët janë armiqtë e tyre më të këqij. Unë u kërkoj sinqerisht falje shqiptarëve dhe gjithashtu serbëve të Kosovës, sepse të dy palët, secila në mënyrën e vet, janë viktima dhe pengje të budallallëkut, paaftësisë dhe monstruozitetit të politikës së çmendur të nacionalizmit serb”, ka deklaruar Jovanoviq.

Ai ka shtuar se një deklaratë e tillë nuk përfaqëson mendimin e një personi racional.

“Asnjë njeri normal nuk mendon atë që thotë ministrja fatkeqe”, ka thënë Jovanoviq.

Për deklaratën e Paunoviqit ka reaguar edhe politikani serb Nenad Çanak, i cili e ka cilësuar atë si të papranueshme dhe ka kritikuar politikën aktuale në Serbi.

Çanak ka deklaruar se, sipas tij, mungesa e një përballjeje me të kaluarën e viteve ’90 ka ndikuar në rikthimin e retorikave nacionaliste.

“Është e dukshme që qeveria aktuale në Serbi është një simptomë e natyrës fashiste të shoqërisë serbe në këtë moment. Kjo ishte e parashikueshme, sepse s’kemi pasur asnjëherë gjykim për politikën e kohës së Sllobodan Millosheviqit gjatë viteve të ’90-ta”, ka thënë Çanak.

JU REKOMANDOJMË