Një debat virtual mori kthesë krejt të papritur këto ditë, pasi një komentues i zjarrtë në rrjete sociale përfundoi… viktimë e profesionit të vet.
Gjithçka nisi kur një qytetar vendosi ta “rregullojë” një mërgimtar me disa fjalë jo fort diplomatike në koment. Mirëpo, në vend se t’i përgjigjej me të njëjtën monedhë, mërgimtari Rushit Rimanishta vendosi të bëjë një investigim të lehtë gazetaresk: hyri në profilin e komentuesit dhe zbuloi se burri merrej me montimin e gilinderave për ballkona, terasa dhe oborre.
Aty nisi strategjia ekonomike.
“Mora guximin dhe i shkrova privat. I thashë: ‘Sa e ke metrin katror? E kam një shtëpi 4-katëshe dhe një oborr 12 ari, po du me i vesh krejt me gilindera’”, rrëfen ai.
Komentuesi nuk arriti kurrë të japë ofertën financiare. Para se të fliste për çmimin, ai ndërmori një veprim emergjent: e fshiu komentin ku kishte sharë.
Ngjarja mori fund pa tensione të mëtejshme, ndërsa mërgimtari vendosi të aplikojë “masën e sigurisë”.
“E bona bllok”, deklaroi ai shkurt. “Ma mirë me blloka se me gilindera.”








