Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në të pame me rastin e ndarjes nga jeta të Ajet Ukës, i njohur si “Kreshniku i Zhabarit”, duke e vlerësuar lart kontributin e tij në luftën çlirimtare dhe angazhimin e tij të mëvonshëm shoqëror e politik.
Sipas Kurtit, Ajet Uka ishte ushtar i UÇK-së, veprimtar dhe aktivist i hershëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i cili gjatë luftës ishte bashkëluftëtar i Bekim Berisha dhe Bedri Shala, duke kontribuar në sigurimin e armatimit dhe në shërbim të luftës çlirimtare. Nga bashkëluftëtarët ai njihej me nofkën “Plaku”.
Pas përfundimit të luftës, Uka vazhdoi angazhimin e tij publik dhe politik me përkushtim, duke mbetur një figurë e respektuar në Mitrovicë dhe më gjerë. Ai ishte pjesëmarrës aktiv në protestat dhe organizimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku në njërën prej tyre pësoi humbje të pjesshme të shikimit, pa u tërhequr asnjëherë nga idealet e tij për drejtësi dhe atdhe.
I ndjeri la pas vetes tre djem dhe tre vajza, si dhe kujtimin e një njeriu që jetoi me nder, sakrificë dhe dashuri për vendin.
“Jemi krenarë që e patëm dhe nuk do ta harrojmë kurrë”, ka theksuar Kurti, duke e përshkruar Ukën si patriot të palodhur, punëtor dhe njeri me shpirt të bardhë.
Në fund, ai shprehu ngushëllime familjes dhe të afërmve, duke uruar që “t’i jetë i lehtë dheu i Kosovës për të cilën veproi dhe sakrifikoi”.








