Deputeti i Kuvendi i Republikës së Kosovës, Mefail Bajqinovci, në deklarimin e tij të pasurisë në Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, ka zbuluar detaje mbi pasurinë familjare, përfshirë edhe një veturë luksoze që rezulton të jetë dhuratë për vajzën e tij.
Sipas dokumentit zyrtar, Bajqinovci ka deklaruar tri prona të paluajtshme: një shtëpi malore me oborr prej 78 m² në vlerë 25 mijë euro, një banesë me terasë (110 m² + 30.7 m²) në vlerë 80 mijë euro dhe një tjetër banesë prej 53 m² në vlerë 53 mijë euro.
Në pjesën e pasurisë së luajtshme, ai ka deklaruar tri vetura: një Volkswagen në vlerë 14 mijë euro (në pronësi të bashkëshortes), një Nissan prej 6,700 euro dhe një Mercedes-Benz në vlerë 18,500 euro. Për këtë të fundit, në dokument theksohet se është siguruar me kredi dhe përmes dhuratës për vajzën.
Deklarimi përfshin edhe një kredi personale prej 35 mijë euro, nga e cila kanë mbetur për t’u paguar mbi 34 mijë euro.
Sa i përket të ardhurave, Bajqinovci ka deklaruar mbi 22 mijë euro paga vjetore si deputet, si dhe të hyra shtesë nga qiraja dhe remitencat. Ndërkohë, bashkëshortja e tij ka të ardhura nga sektori shëndetësor dhe privat.







