Një punëtor 48-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht në vendin e tij të punës në Shtime, mbrëmjen e së martës.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizaj, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:45, në një kompani që operon në zonën industriale të Shtimes.
Sipas tij, viktima ka pësuar lëndime gjatë procesit të punës, pasi dyshohet se është zënë nga dera e një kamioni. Ai është dërguar menjëherë në Emergjencën e Ferizajt, por pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, aty është konstatuar vdekja e tij.
“Ju njoftojmë se më 15.04.2026, rreth orës 20:45, kemi pranuar informatën se një punëtor rreth 48 vjeç është lënduar gjatë punës në një kompani në zonën industriale në Shtime. Ai është dërguar në Emergjencën e Ferizajt, ku është konstatuar vdekja e tij”, ka deklaruar Veseli.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore, përfshirë patrullat dhe hetuesit nga stacioni policor në Ferizaj. Po ashtu, janë përfshirë edhe hetuesit rajonalë, krimteknikët, prokurori i shtetit dhe Inspektorati i Punës, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Lidhur me ngjarjen, është arrestuar menaxheri i kompanisë, ndërsa rasti po trajtohet nga organet kompetente.
Ndërkohë, për shkak të rritjes së numrit të aksidenteve fatale në vendin e punës, ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës së UÇK-së, Andin Hoti, ka paralajmëruar së fundmi një aksion të jashtëzakonshëm të inspektimeve në sektorët me rrezik të lartë, veçanërisht në ndërtimtari.
Sipas tij, çdo kompani që nuk garanton kushte bazike të sigurisë do të përballet me ndalim të menjëhershëm të punimeve dhe ndëshkime ligjore, deri në përmbushjen e standardeve të kërkuara.
Vetëm nga janari deri në prill të këtij viti, janë regjistruar tetë raste fatale që lidhen drejtpërdrejt me vendin e punës.







