Krimet Ekonomike kanë pranuar autorizim nga Prokuroria e Prishtinës për fillimin e hetimeve për falsifikim të rezultatit zgjedhor në Komunën e Podujevës, në të cilën lista e kandidatëve të LVV-së rezulton me më së shumti vota të manipuluara.
Prokuroria tha të hënën se e ka autorizuar Policinë e Kosovës që të grumbullojë dhe mbledh prova lidhura me dyshimet për falsifikim të votave në Podujevë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se ka autorizuar Policnë e Kosovës, respektivisht, Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale nga Kapitulli XVIII i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), kundër të Drejtave të Votimit”, tha Prokuroria Themelore në Prishtinë të hënën.
Sipas Prokurorisë, gjatë këtij procesi, ekzistojnë dyshime se janë evidentuar parregullsi, “përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.
Rinumërimi i votave të kandidatëve për deputet në Komunën e Podujevës ka rezultuar me shpërputhje të mijëra votave të kandidatëve për deputet.
Parregullësitë më të mëdha të votave të manipuluara në Podujevë janë vërejtur në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, me ish-ministrin Ejup Maqedonci që figuron të ketë marrë afër 400 vota më shumë sesa është votuar.
Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit rezultojnë t’i jenë shtuar 98 vota.
Ndërsa, numrin më të madh të votave të shtuara rezulton ta ketë Vendenis Lahu, ish-deputeti i LVV-së nga Podujeva, me 407 vota.







