Një intervenim i shpejtë dhe profesional i stafit mjekësor të Spitalit të Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka rezultuar me shpëtimin e jetës së një pacienteje 37-vjeçare, e cila ishte në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.
Rasti i rrallë u paraqit në Shërbimin Emergjent, ku pacientja B. Sh. (1988) u pranua në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, me parametra vitalë minimalë, vetëdije të çrregulluar dhe shenja të theksuara të shokut hemorragjik, si pasojë e humbjes masive të gjakut.
Pas vlerësimit të menjëhershëm klinik nga stafi i emergjencës dhe kryerjes së ekzaminimeve laboratorike dhe ultrasonografike, u diagnostikua një shtatzëni ektopine cornuale – një gjendje shumë e rrallë, që përbën vetëm 2–4 për qind të shtatzënive jashtë mitrës – e shoqëruar me gjakderdhje masive dhe rrezik të lartë për jetën e pacientes.
Falë reagimit të shpejtë, profesional dhe të koordinuar të stafit të Shërbimit Emergjent, në bashkëpunim të ngushtë me ekipet kujdestare të Repartit të Kirurgjisë, Gjinekologjisë, Anestezionit dhe shërbimeve mbështetëse, u mor vendimi jetik për kryerjen e një laparotomie urgjente. Ndërhyrja u realizua me sukses dhe rezultoi vendimtare për shpëtimin e jetës së pacientes.
Në këtë intervenim të ndërlikuar morën pjesë:
Dr. Mirejete Binakaj, specialiste e emergjencës; infermierët Valdete Maliqi, Saranda Rexha, Basri Grepi dhe Musa Peci; specialistët e gjinekologjisë Dr. Arben Hajrizi, Dr. Vjollca Çitaku dhe Dr. Lindita Uka-Musaj; specialiste e kirurgjisë; anesteziologu kujdestar Dr. Arber Bardhaj; teknikët e anestezionit Musa Kurti dhe Selvet Haziri, si dhe instrumentaret Nurgji Çuni dhe Liridona Peci.
Ky rast përbën një shembull të shkëlqyer të profesionalizmit, përkushtimit dhe bashkëpunimit multidisiplinar të stafit të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, duke dëshmuar gatishmërinë dhe kapacitetin e tij për menaxhimin e suksesshëm të rasteve më të rënda dhe më komplekse, gjithmonë në shërbim të jetës së pacientëve.
Shënim: Fotografia është nga operacione të mëhershme në sallën e Gjinekologjisë.







