Avdullah Hoti shpall kandidaturën për kryetar të LDK-së

Publikuar më:

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se do të kërkojë besimin e delegatëve për të udhëhequr Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pas dorëheqjes së kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, si pasojë e rezultatit të fundit zgjedhor.

Përmes një deklarate drejtuar strukturave të partisë, Hoti bëri të ditur se kandidatura e tij do të formalizohet në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së, e cila pritet të mbahet më 31 janar 2026.
Ai ka shprehur mirënjohje për kontributin e udhëheqjes së deritanishme të LDK-së gjatë pesë viteve të fundit, duke falënderuar veçanërisht kryetarin Abdixhiku, Kryesinë, degët, nëndegët, si dhe Forumet e Gruas dhe të Rinisë në mbarë Kosovën. Hoti theksoi se anëtarësia e LDK-së mbetet shtylla kryesore mbi të cilën ka qëndruar dhe do të qëndrojë partia.

Në këtë fazë që ai e cilëson vendimtare për LDK-në dhe për Kosovën, Hoti është zotuar të marrë përgjegjësinë për ringritjen politike dhe organizative të partisë. Ai ka premtuar një proces gjithëpërfshirës dhe transparent, në përputhje të plotë me Statutin e LDK-së, ku çdo anëtar, degë dhe forum do të ketë rol aktiv në vendimmarrje.
Sipas Hotit, synimi është ndërtimi i një LDK-je të hapur, të drejtë dhe konkurruese, ku avancimi bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim, duke krijuar hapësirë të veçantë për profesionistët, gratë dhe të rinjtë, si dhe duke bashkuar energjinë e re me përvojën politike.
Ai ka vlerësuar se potenciali i LDK-së është shumë më i madh dhe ka theksuar nevojën për ta rikthyer partinë në forcën kryesore politike dhe qeverisëse në Republikën e Kosovës, në shërbim të qytetarëve dhe të interesit shtetëror.

Në fund, Hoti ka bërë thirrje për unitet dhe bashkim rreth vlerave themeltare të LDK-së, si demokracia e brendshme, guximi politik, vizioni shtetformues dhe orientimi i palëkundur euro-atlantik, duke theksuar se këto parime janë thelbësore për të ardhmen e partisë dhe të vendit

JU REKOMANDOJMË