Ymeri: Ndërprerjet e rrymës pasojë e mungesës së planifikimit dhe rezervimit të energjisë

Publikuar më:

Ekspertja e energjisë dhe deputetja e zgjedhur, Janina Ymeri, ka sqaruar arsyet e ndërprerjeve të energjisë elektrike në Kosovë, duke theksuar se situata aktuale është pasojë e mungesës së planifikimit dhe koordinimit mes institucioneve të sektorit energjetik.

Sipas Ymerit, bazuar në komunikatën e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) ka porositur apo rezervuar rreth 26 për qind më pak energji elektrike sesa nevojat reale të konsumit. Ajo e ka krahasuar këtë situatë në mënyrë figurative me një importues që nuk deklaron sasinë reale të mallrave në doganë.

Ymeri ka paralajmëruar se, për shkak të mosrezervimit me kohë të energjisë nga ana e KEDS-it, rrjeti energjetik i Kosovës është vënë në prag të një kolapsi total. Për të shmangur një skenar të tillë, sipas saj, KOSTT është detyruar të urdhërojë reduktime të furnizimit me energji elektrike.

Ajo ka kritikuar edhe Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke theksuar se rregullatori nuk ka hartuar një plan adekuat dhe ka lejuar një situatë kaotike, ku secili institucion vepron i pakoordinuar.

Sipas Ymerit, përplasjet dhe fajësimet mes akterëve të sektorit energjetik po e rrezikojnë seriozisht sistemin energjetik të Kosovës, deri në atë pikë sa vendi mund të përballet me sanksione dhe madje me rikthimin e menaxhimit të rrjetit nën Serbi, ashtu siç ishte para vitit 2021.

Në fund, ajo ka theksuar se energjia që po konsumohet aktualisht, përfshirë importin emergjent nga KOSTT dhe blerjet në tregun ditor, është jashtëzakonisht e shtrenjtë. Sipas saj, kjo kosto do t’u kthehet qytetarëve përmes ndarjeve emergjente buxhetore për KOSTT-in dhe rritjes së ndjeshme të faturave të energjisë elektrike në të ardhmen e afërt.

JU REKOMANDOJMË