Këta janë të dyshuarit që sulmuan Policinë në Vushtrri, të dehur shkaktuan aksident duke tentuar të ikin

Publikuar më:

Foto Ilustrim

Shqiptimi i gjobave për thyerjen e rregullave në trafik bëhen shpeshherë shkas që shoferët të revoltohen dhe t’i pengojnë zyrtarët policorë. Përpos ofendimeve, ata eskalojnë edhe në kërcënime dhe sulme fizike, duke ua vështirësuar kryerjen e detyrave.

Një rast i tillë ka ndodhur të shtunën në Vushtrri, ku janë arrestuar dy persona, të cilët kanë  goditur veturën zyrtare të Policisë, si dhe kanë sulmuar një zyrtar policor.

Burimet e sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy personat që u arrestuan lidhur me këtë rast janë Irfan Shtitarica dhe Eroll Rashani.

Shoferi i dyshuar ka qenë nën ndikimin e alkoolit, kur fillimisht ka shkaktuar aksident trafiku duke tentuar të ikin nga zyrtarët policorë, e më pas  kanë goditur edhe automjetin e Policisë.

Për të mos mbaruar me kaq, njëri nga të dyshuarit edhe e ka sulmuar me shqelma një polic, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Të njëjtit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku janë kryer procedurat e nevojshme.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Mitrovicë.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar pasi që të njëjtit janë ndaluar duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur( nën ndikim të alkooli) të cilët në ikje kanë shkaktuar aksident trafiku me një veturë private dhe kanë goditur veturën e policisë. Njëri nga të dyshuarit e ka sulmuar fizikisht njërin nga zyrtarët policor. Me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje.“

JU REKOMANDOJMË