Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë gjatë vitit 2025 ka kryer një seri inspektimesh në disa barnatore në komunën e Vushtrrisë, ku në fokus kanë qenë prezenca e stafit profesional, dokumentacioni, hapësirat, produktet medicinale dhe zbatimi i legjislacionit në fuqi.
Portali Front Online ka siguruar pesë raporte dhe procesverbale të Inspektoratit Farmaceutik, që lidhen me barnatoret “Blini”, “Blerta Pharm”, “Janina Pharm”, “Ota Pharm 1” dhe “Pico Pharm 19”.
Nga këto dokumente del se në disa raste shërbimi farmaceutik është ofruar pa praninë e farmacistit përgjegjës ose zëvendësuesit të tij, ndërsa inspektorët kanë urdhëruar që subjektet të mos operojnë pa prezencën e stafit të licencuar profesional.
Në rastin e barnatores “Blini” në Vushtrri, raporti i Inspektoratit mban datën 18 mars 2025, ndërsa inspektimi është kryer më 18 shkurt 2025.
Sipas raportit, inspektimi ishte i planifikuar dhe kishte për qëllim mbrojtjen e interesit dhe shëndetit publik, si dhe monitorimin e zbatimit të vendimit për çmime.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit për këtë barnatore:
Në dokument thuhet se barnatorja është gjetur e hapur dhe shërbimi farmaceutik ofrohej nga një teknike e farmacisë, ndërsa farmacisti përgjegjës nuk ishte prezent. Inspektorët kanë konstatuar se subjekti ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe e kanë urdhëruar që barnatorja të mbyllet dhe të punojë vetëm në prezencë të farmacistit përgjegjës ose zëvendësuesit.
Raporti shoqërohet edhe me vendim me gjobë.
Rast i ngjashëm është evidentuar edhe te “Blerta Pharm”
Në raportin e datës 4 qershor 2025, Inspektorati Farmaceutik thekson se inspektimi është kryer më 2 qershor 2025. Objekt inspektimi ka qenë prezenca e stafit profesional, ndërsa në momentin e kontrollit, sipas dokumentit, në barnatore është gjetur vetëm tekniku i farmacisë.
Farmacisti përgjegjës, sipas raportit, ka arritur në përfundim të inspektimit.
Përmes procesverbalit, barnatorja është urdhëruar të mos operojë pa farmacistin përgjegjës sipas legjislacionit në fuqi.
Edhe në barnatoren “Janina Pharm”, Inspektorati ka konstatuar mungesë të farmacistit përgjegjës gjatë inspektimit.
Raporti mban datën 11 korrik 2025, ndërsa inspektimi është kryer më 19 qershor 2025.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit për këtë barnatore:
Raporti i Inspektoratit Farmaceutik për barnatoren Janina Pharm
Në raport thuhet se shërbimi farmaceutik ofrohej nga teknike e farmacisë dhe se në barnatore nuk u gjet prezent farmacisti përgjegjës apo zëvendësuesi i tij.
Sipas dokumentit, përmes procesverbalit barnatorja është urdhëruar që të mbyllet dhe të mos ofrojë shërbim farmaceutik pa prezencën e farmacistit përgjegjës ose zëvendësuesit. Raporti po ashtu shoqërohet me vendim me gjobë.
Në dosjen e siguruar nga Front Onlinepërfshihet edhe raporti për barnatoren “Pico Pharm 19”. Inspektimi është kryer më 18 shkurt 2025, ndërsa raporti mban datën 18 mars 2025. Inspektorati thekson se gjatë kontrollit është monitoruar edhe zbatimi i vendimit për çmime.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit për këtë barnatore:
Sipas raportit, barnatorja është gjetur e hapur dhe shërbimi farmaceutik ofrohej nga teknike e farmacisë, ndërsa farmacisti përgjegjës ose zëvendësuesi nuk ishte prezent.
Në këtë rast, në raport përmendet edhe një sqarim i mëvonshëm i farmacistes përgjegjëse, e cila, sipas dokumentit, kishte dorëzuar raport mjekësor për mungesën në barnatore ditën e inspektimit. Megjithatë, raporti shoqërohet me vendim me gjobë dhe rekomandim për respektimin e legjislacionit në fuqi.
Ndryshe nga rastet e tjera, në barnatoren “Ota Pharm 1” kontrolli është kryer me kërkesë të Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë, rreth dyshimit për operim me produkte medicinale të paautorizuara për qarkullim në tregun e Kosovës. Raporti mban datën 26 shtator 2025, ndërsa inspektimi është kryer më 26 gusht 2025.
Sipas raportit zyrtar, pas kontrollit në hapësirat e barnatores nuk janë gjetur produkte të paautorizuara për qarkullim në tregun e Republikës së Kosovës. Inspektorati ka rekomanduar që subjekti të vazhdojë të punojë sipas legjislacionit përkatës në fuqi.
Nga pesë dosjet e siguruara, katër prej tyre lidhen kryesisht me mungesën e farmacistit përgjegjës gjatë ofrimit të shërbimit farmaceutik, një problem që sipas raporteve zyrtare është përsëritur në disa barnatore të Vushtrrisë. Në disa raste, inspektorët kanë urdhëruar ndalimin e punës pa prezencë profesionale, ndërsa raportet janë shoqëruar edhe me vendime me gjobë.











