Ekrem Berjani, daja i Kryetarit të Fushë Kosovës, Valon Prebreza, është zgjedhur Kryeshef Ekzekutiv në Ndërmarrjen Publike “Fushë Kosova” të formuar rishtazi.
Ndërmarrja në fjalë është në pronësi të plotë të Komunës së Fushë Kosovës që udhëhiqet nga Valon Prebreza, që është nipi i Berjanit.
Sipas njoftimit të Bordit të “NPL Fushë Kosova”, Berjani është renditur i pari, para kundërkandidatëve: Ilir Hasani, Afrim Krasniqi, Bujar Budeci e Erblin Grajçevci.
Se Vetëvendosje në Fushë Kosovë me në krye Valon Prebrezën po e shtyn zgjedhjen e Berjanit Kryeshef e kishte paralajmëruar VOX Kosova në një storie të publikuar më 5 qershor.
Në komunikimin që mediumi kishte pasur me Berjanin, ky i fundit ishte shprehur i lumtur që është daja i Prebrezës, duke thënë se s’ka konflikt interesi nëse ai emërohet.
“I lumtur jam që jam daja, që është nipi im, bash i lumtur jam”.
Por, me gjasë, Berjani, ka harruar që në vitin 2021, ishte denoncuar për keqpërdorim në Prokurori gjatë kohës sa ky ishte drejtor i Zhvillimit Ekonomik në pushtetin e LDK-së.
Denoncimi, besojeni ose jo, vinte nga vetë Vetëvendosje dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Valon Prebrezës, Durim Hajra. Ky i fundit, tash drejtor i Inspektoratit në komunë.








