Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit kanë zbuluar një rënie të ndjeshme të Lëvizjes Vetëvendosje në një prej pikave më të diskutuara gjatë muajve të fundit në komunën e Podujevës. Bëhet fjalë për fshatin Lupç i Poshtëm, i cili u kthye në kryelajm dhe u bë viral në opinionin publik për shkak të “vadës” (kanalit të ujitjes).
Ky projekt ishte përuruar me mjaft pompozitet nga ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, së bashku me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, të cilët u shfaqën para kamerave duke ngritur me duart e tyre rrasën e verdhë për të lëshuar ujin në arat e fshatit.

Mirëpo, ky përurim nuk duket se ka kryer punë në kutitë e votimit.
Në qendrën e votimit 1830 në Sh.F.M.U. “Zenel Hajdini” në Lupç të Poshtëm, Lëvizja Vetëvendosje ka pësuar një rënie të fortë si në përqindje, ashtu edhe në numër absolut të votave.
Në zgjedhjet e djeshme të 7 qershorit 2026, VV-ja ka siguruar 59.36% apo 425 vota.

Kjo shifër është dukshëm më e ulët se ajo e zgjedhjeve të kaluara të 28 dhjetorit 2025, ku VV-ja në këtë fshat kishte korrur 68.91% duke grumbulluar 654 vota.

Matematika e thjeshtë tregon se projekti viral i ujitjes i ka kushtuar partisë në pushtet saktësisht 229 vota më pak brenda pak muajsh.
Nga kjo rënie e VV-së ka përfituar kryesisht Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka shënuar rritje në Lupç të Poshtëm duke u ngjitur nga 16.12% (153 vota) sa kishte në vitin 2025, në 26.54% (190 vota) në zgjedhjet e djeshme. Partia Demokratike e Kosovës ka mbetur pothuajse në nivele të njëjta, duke marrë 12.99% (93 vota), krahasuar me 13.28% (126 vota) sa kishte në procesin e kaluar.







