Trepça siguron vendin e parë, garë e fortë për pozitën e tretë dhe “luftë” në fund të tabelës

Publikuar më:

Xhiro e 24-të e Superligës së Kosovës në Basketboll ka sjellë zhvillime të rëndësishme si në krye ashtu edhe në fund të tabelës.

Skuadra e Trepçës tashmë e ka siguruar zyrtarisht pozitën e parë në sezonin e rregullt, madje katër xhiro para përfundimit.

Mitrovicasit numërojnë 21 fitore dhe kanë krijuar epërsi prej pesë fitoresh ndaj vendit të dytë, Bashkimit të cilin e mposhtën edhe në fundjavë.

Në anën tjetër, gara mbetet e hapur për pozitën e tretë, ku po zhvillohet një betejë e fortë mes Borës, Golden Eagle Yllit dhe Pejës, skuadra që vazhdojnë të kërkojnë pozicionim sa më të mirë para fazës së “play-off”-it.

Ndërkohë, situata është bërë mjaft e ndërlikuar në fund të tabelës. Rahoveci arriti një fitore shumë të rëndësishme në udhëtim ndaj Prishtinës, ndërsa Vëllaznimi pësoi humbje, duke e bërë edhe më interesante garën për t’i ikur fundit të renditjes.

Aktualisht, Prishtina renditet në vendin e gjashtë me bilanc prej 9 fitoresh dhe 15 humbjesh, ndërsa Vëllaznimi dhe Rahoveci ndajnë pozitat 7 dhe 8 me bilanc identik prej 8 fitoresh dhe 16 humbjesh.

JU REKOMANDOJMË