Serbët në veri: Ishim të armatosur e gati për luftë

Publikuar më:

Raportimet e mediave të njohura ndërkombëtare për tensionet në veriun e Kosovës po vazhdojnë ende.

Së fundmi, gazeta italiane La Repubblica, në numrin e kësaj të mërkure, i ka kushtuar një shkrim ngjarjeve të 31 korrikut në veriun e vendit.

Ajo çfarë bie në sy në shkrimin e gjatë të La Repubblica, janë deklarimet e rrezikshme që prononcuesit serbë kanë dhënë për gazetën.

Srdjan Simonoviç, që sipas La Repubblica është pjesëmarrës në shumë organizata ndërkombëtare të sigurisë, ka treguar nivelin e gatishmërisë që serbët në veri kishin gjatë 31 korrikut.

“Gati për të luftuar”
Ai theksoi se ata ishin të gatshëm për të luftuar.

“Ishin të armatosur dhe njëmend gati për të luftuar”, tregon 46-vjeçari.

I ulur në afërsi të rrethojave të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, ai alarmoi edhe për atë që sipas tij ishte një skenar i pashmangshëm, shkruan La Repubblica.

“Nëse kryeministri Albin Kurti nuk do t’i shtyente vendimet për targat e automjeteve dhe letërnjoftimet, situata do të dilte jashtë kontrollit. Po, një konflikt i ri do të ndodhte. Dhe, nuk do ta quaja rebelim, por një masë e nevojshme për të mbrojtur atë që kemi”, ka potencuar Simonovic.

Nën shoqërimin e cigares së dytë, Simonoviç i tregon parashikimet e tij se çfarë mund të ngjajë muajin e ardhshëm, kur skadon prolongimi 30-ditor i reciprocitetit.

Ai thotë se serbët do të dalin në rrugë.

“Do të ndodhë diçka shumë e keqe brenda një apo dy muajsh, nëse Kurti nuk do t’i tërheqë vendimet. Serbët do të dalin në rrugë. Nuk i kemi harruar 3000 të dëbuarit, të cilëve Qeveria e Prishtinës nga viti 2004 ua pamundëson rikthimin në shtëpitë e tyre. Nuk duam ta kemi fatin e tyre”, përfundoi ai.

JU REKOMANDOJMË