Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, për FrontOnline ka paralajmëruar se rritja e mundshme e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe shtrenjtimi i energjisë elektrike në vend mund të sjellin një valë të re inflacioni dhe vështirësi ekonomike për qytetarët dhe bizneset në Kosovë.
Rafuna tha se ekonomitë në mbarë botën po përgatiten për skenarë rezervë në rast të përshkallëzimit të konflikteve globale, të cilat mund të ndikojnë drejtpërdrejt në furnizimin dhe çmimin e naftës.
Sipas tij, një nga rreziqet kryesore është edhe mundësia e mbylljes së Ngushtica e Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme për transportin e naftës në botë.
“Gjitha ekonomitë në botë janë duke përgatitur planin rezervë që në rast se vie në një ashpërsim të luftës apo mbyllja e kanalit të Hurmuzit, që do të shkaktonte automatikisht rritjen e çmimit të naftës. Njëjtë do të duhej ta bënte edhe Qeveria jonë, që të ishte e përgatitur me një paketë rezervë për t’u dalë në ndihmë bizneseve”, ka deklaruar Rafuna për FrontOnline.
Ai theksoi se ekonomia e Kosovës është kryesisht e varur nga importi, çka sipas tij nënkupton se çdo rritje e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohet menjëherë edhe në vend.
“Ne jemi ekonomi që importojmë dhe në momentin që importojmë, praktikisht kemi importuar edhe inflacion”, ka thënë ai.
Rafuna ka ngritur shqetësim edhe për paralajmërimet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike nga prilli nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke paralajmëruar se kjo mund të përkeqësojë më tej situatën ekonomike.
“Shqetësimi tjetër është rritja e çmimit të rrymës nga prilli sipas paralajmërimit të ZRRE dhe kjo do të shkaktojë një valë të re inflacioni. Qytetarët do të varfërohen dhe do t’iu ulet standardi jetësor”, ka theksuar Rafuna.
Sipas tij, në këtë situatë institucionet duhet të hartojnë masa mbështetëse për bizneset dhe qytetarët, në mënyrë që të zbuten pasojat e rritjes së çmimeve dhe të ruhet stabiliteti ekonomik në vend.







