Ka njerëz që e kujtojnë historinë me fjalë, e ka të tjerë që zgjedhin ta përjetojnë atë me sakrificë.
Visar Shala, me prejardhje nga fshati Rashiq i Pejës dhe me vendbanim në Norvegji, ka përshkuar rreth 100 kilometra vrap, nga Koshara deri në Prekaz, në nderim të çlirimit të Kosovës dhe për të përkulur kokën me respekt para atyre që sakrifikuan gjithçka për lirinë.
Nën shi, mes lodhjes dhe sfidave fizike, ai nuk u ndal. Çdo kilometër i përshkuar ishte një mesazh mirënjohjeje për dëshmorët dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga Koshara, ku u zhvillua një nga betejat më të lavdishme të luftës sonë çlirimtare, deri në Prekaz, simbolin e qëndresës dhe sakrificës së familjes Jashari, rrugëtimi i Visar Shalës u shndërrua në një homazh të heshtur, por tejet domethënës.
Në një kohë kur kujtesa shpesh zbehet nga ritmi i përditshmërisë, mërgimtari nga Norvegjia zgjodhi t’i kujtojë Kosovës se liria nuk trashëgohet vetëm me krenari, por nderohet edhe me përkushtim.
100 kilometra mund të jenë një sfidë për trupin, por për një zemër që rreh për atdheun, ato janë vetëm një rrugëtim drejt mirënjohjes. 🇽🇰🏃♂️
Sinjali ka siguruar pamje dhe video nga ky rrugëtim i veçantë, që dëshmojnë vendosmërinë dhe përkushtimin e Visar Shalës për ta kthyer përvjetorin e çlirimit në një akt simbolik respekti ndaj historisë sonë kombëtare.








