Mitrovicasja Marigona Bekteshi Ferati ka ndarë një mesazh me rastin e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke ritheksuar rëndësinë e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
Ajo kujtoi se në vitin 2015, si studente nga Kosova, pati privilegjin të takonte në Johns Hopkins University profesorin Daniel Serwer, një nga njohësit më të mirë të çështjeve të Ballkanit dhe një zë të rëndësishëm në mbështetjen e paqes, stabilitetit dhe integrimit të rajonit.
Sipas Bekteshi Feratit, dhjetë vjet më vonë, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 250-vjetorit të SHBA-së, ajo pati kënaqësinë ta ritakonte profesorin Serwer, duke e cilësuar këtë si një rikujtim të rrugëtimit të saj akademik dhe të marrëdhënieve që ndërtohen përmes arsimit, dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Marigona Bekteshi Ferati, e cila është profesoreshë universitare, studiuese shkencore dhe bursiste Fulbright e Departamentit të Shtetit Amerikan, theksoi se e ndien përgjegjësi të veçantë për të forcuar urat e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Ajo vlerësoi se Kosova ka ecur përpara falë partneritetit të palëkundur me SHBA-në, duke theksuar se mbështetja amerikane ka qenë vendimtare në momentet më të rëndësishme të historisë së vendit dhe vazhdon të mbetet një shtyllë e rëndësishme në rrugën drejt zhvillimit, demokracisë dhe integrimeve euroatlantike.
Bekteshi Ferati nënvizoi se Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe mbeten shteti mik dhe aleati më i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, ndërsa çdo narrativë që synon ta paraqesë Kosovën ose institucionet e saj si kundërshtare të SHBA-së nuk pasqyron realitetin.
Në fund, ajo uroi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 250-vjetorin e pavarësisë, duke ritheksuar se bashkëpunimi me SHBA-në mbetet një prioritet për Kosovën.







