Mitrovicasit thonë se Liqeni Akumulues përveç rekreacionit është edhe shërues

Publikuar më:

Del që nga orët e hershme të mëngjesit për të vrapuar pranë liqenit. Është Visar Kahrimani, taksisti në zë i Mitrovicës, i cili me gjithë punën e lodhshme nuk e harron një pjesë të rëndësishme të tij e cila lidhet me pasionin që ka për sportin.

Visar Kahrimani thekson veçantitë dhe përfitimet e liqenit.

“Është një ambient shumë i përshtatshëm për vrapim, është ajri i pastër edhe i ka veglat e fitnesit me ushtru, janë jashtëzakonisht të mira për ata të cilët dëshirojnë me ushtru. Kohën tjetër merrna edhe me fitnes dhe ushtroj, është sport shumë i mirë që të ndihmon për frymëmarrje, shëndet”, thotë ai.


37-vjeçari tregon dallimin e fitnesit dhe atë që i ofron liqeni.

“Jashtë është një bukuri natyrore që shumë e do dhe nuk të mërzitet, është diçka që vazhdon e të jep forcë, ndërsa brenda në fitnes edhe ma ndryshe, sepse i ke disa pajisje të cilat nuk i gjen këtu. Nga fitnesi përfiton forcën, kurse nga fitnesi i improvizuar në liqen më shumë është për vrapim me shiju ajrin, natyrën”, vazhdon Kahrimani.

Ai shprehet se me të gjitha të mirat që ka, ky liqen duhet të shfrytëzohet.


Ajrin e mirë këtu thotë ta shfrytëzojë edhe Aziz Aruqaj, i cili tregon se ditën e nis dhe e përfundon në këtë liqen.

“Arsyeja kryesore që dal në liqen janë shkaqet shëndetësore, kam pasë një infarkt shumë të rëndë, kam pasë problem me këmbë, sepse i kam të thyera dhe shëtitja te liqeni më ka ndihmuar shumë si për këmbë, si për zemër, sepse ky liqen ka jod shumë. Zakonisht nga 2 orë jam me biçikletë dhe shëtis rreth e rreth liqenit”, shprehet Aruqaj.

Behxhet Bajrami, bashkatdhetar që erdhi nga Gjermania për pushime në Kosovë, kërkon prodhimin e energjisë elektrike përmes ujit.

“Veçantat e liqenit janë se njerëzit kanë mundësi të dalin për shëtitje për shëndet, përndryshe është bërë një ambient i bukur për rekreacion. Ka mundësi për zgjerim të mëtutjeshëm, do të kishte qenë më mirë të vazhdohet në pjesën e sipërme. Ky liqen të shfrytëzohet për prodhimin e energjisë elektrike, pasi që mundësitë janë”.

Edhe Izet Bajrami pjesën më të madhe të kohës ia kushton shëtitjeve në liqen. Thotë se del vetëm për të pasur një shëndet të mirë.

“Dalim për çdo ditë pothuajse, verës dalim në orët e hershme të mëngjesit e dimrit pak më vonë me shëtit për shkak të jetës. Fatmirësisht ky është edhe afër qytetit, kanë mundësi me dalë të gjithë. E ka ajrin e mirë, ujin e mirë. Po e shoh që po peshkojnë, ka dhe shota të cilat po e zbukurojnë vendin”.


Sipas vendësve, mbrojtja dhe investimet infrastrukturore të lumenjve dhe liqeneve në Mitrovicë nuk kanë qenë prioritete për Qeverinë. Liqeni artificial aktualisht ka nevojë për një mirëmbajtje dhe siguri institucionale.

Burimi: ©KOHA

JU REKOMANDOJMË