Ministria e Hekuran Muratit vendos që 10 mijë euro nga buxheti i shtetit t’i çojë në autolarje

Publikuar më:

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, që drejtohet nga ministri Hekuran Murati, ka hapur një tender për shërbime të autolarjes për veturat zyrtare të institucionit.

Derisa qytetarët përballen me rritje të çmimeve dhe presion ekonomik, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka vendosur të ndajë deri në 10 mijë euro për larjen e veturave zyrtare.

Tenderi i hapur nga institucioni që drejtohet nga ministri Murati parasheh shërbime të detajuara autolarjeje për automjetet e ministrisë dhe të Njësisë për Inteligjencë Financiare të Kosovës, madje duke kërkuar edhe trajtim me prioritet për veturat e kabinetit të ministrit dhe menaxhmentit sapo ato të arrijnë në autolarje.

Në njoftimin e publikuar për kontratë, vlera e parashikuar figuron 10 mijë euro, edhe pse vetë dokumentet sqarojnë se shuma reale e planifikuar për shërbime është më e vogël.

Sipas deklaratës së nevojave, për Lot 1 janë paraparë 3,000 euro, ndërsa për Lot 2 rreth 500 euro, por në sistemin elektronik të prokurimit është vendosur shifra 10,000 euro pasi sistemi nuk parasheh kontrata kornizë për vlera nën këtë shumë, shkruan Gazeta Metro.

Tenderi është ndarë në dy grupe:

 

Lot 1 – Shërbimet e autolarjes për veturat zyrtare të Ministrisë së Financave

Lot 2 – Shërbimet e autolarjes për veturat e NJIF-K

Kohëzgjatja e kontratës për Lotin 1 është 24 muaj, ndërsa për Lotin 2 është 12 muaj.

Sipas dokumenteve të tenderit, Ministria e Financave ka gjithsej 18 vetura zyrtare, për të cilat kërkohet larje e brendshme dhe e jashtme për automjete të tipit xhip, si dhe për vetura të tipit Polo dhe Audi.

Po ashtu janë paraparë edhe larje vetëm të jashtme, si dhe larje gjeneralë, për xhipa deri në 6 herë në vit, ndërsa për vetura Audi deri në 4 herë në vit.

Në specifikimet teknike janë vendosur edhe kërkesa të detajuara për operatorin ekonomik. Ndër to, kërkohet që larja e veturave të fillojë menjëherë ose më së largu 10 minuta pasi vetura zyrtare të arrijë në vendin e shërbimit.

Për më tepër, dokumenti thekson se veturat e kabinetit të ministrit, të zyrës së ZKA-së dhe të menaxhmentit duhet të kenë prioritet të veçantë, duke u marrë në shërbim menjëherë dhe pa vonesë për shkak të “angazhimeve zyrtare”.

Po ashtu, kërkohet që shërbimi të mos jetë i tipit vetëshërbim, por larja dhe pastrimi të kryhen nga punëtorët e kompanisë që fiton kontratën, me materiale që nuk dëmtojnë automjetet zyrtare. Në rast dëmtimi, përgjegjësia bie mbi operatorin ekonomik.

Procedura është shpallur si procedurë e vlerës së vogël, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 23 mars 2026 në ora 13:30.

Megjithatë, mënyra e përshkrimit të vlerës së kontratës dhe fakti që në sistem figuron shuma prej 10 mijë eurosh, ndërsa në dokumente përmenden shuma dukshëm më të ulëta. Për më tepër, specifikimi i detajuar për prioritet ndaj veturave të kabinetit të ministrit dhe menaxhmentit lë të kuptohet se tenderi është hartuar me kërkesa shumë të veçanta për trajtimin e automjeteve të zyrtarëve të lartë.

JU REKOMANDOJMË