Kur s’fiton Trepça

Publikuar më:

Shkruan: Gazmend Syla, kryeredaktor i Klan Kosova

Biletat nuk i kanë të shkruara numrat e ulëseve, Andaj, kur futesh në Minatori, duhet të kesh shumë fat t’i gjesh dy karrige të lira, nëse hyn gjysmë ore para se të nis një lojë derbi kur mysafire e Trepçës është Prishtina. Unë nuk është se po shihja nafakë për veten, të shtunën, kur bashkë me djalin tim, shkova ta shoh kryederbin më “miqësor” e “paqedashës” të basketbollit kosovar.

Në fakt, ulëse të lira dhe pa njerëz në to kishte, por, gjithsecilës që i bënte turr syri im, e kishte një diçka të vendosur përmbi pjesën ky rehatohet bytha, si në atë stilin e njohur “… e zënë, mos e prek”.

Duke besuar se dikush do të më njihte e do të bëntë mëshirë, siç bëri Bujari (Zoti nderen ia rritë) kur m’i dha dy bileta falas në hyrje, gati mbërrita në skajin më të djathtë të zonës me shumë ulëse në palestër. Nja tre- katër rende më poshtë, i pashë dy karrige të “pauzurpuara”. Gati i theva këmbët duke shpejtuar t’i zë ato dy vende, pasi kapërcimi i rendeve nga lart-poshtë, duke tentuar të mos shkelësh nëpër karrige, por mes tyre, është goxha sfidë.

Kur mbërrita te to dhe mendova se ia dola, me erdhi një e folme rrufe, nga e djathta ime.

“Kah je nis o dost”, më tha një burrë, pak qel në pjesën e përparme të kokës, ndoshta rreth 40 vjeç. “Të nxanme janë.  Qitash vjen dikush, kshtu që vazhdooo”.

Edhe ai, si unë, ishte me një fëmijë, më i ri e më i vogël se imi. Ky fakt, më trimëroi.

Duke e parë që nuk ishte i rrezikshëm, unë s’e përfilla, dhe guxova e u ula, ani se burri nga e djathta pretendonte që karriget i kishte bërë për vete ai.

“Qysh i ke nxan?”, i thashë. “Kurrgjë s’paska këtu, thatë krejt kokan”.

“Unë po të tham që të nxanta janë”, vazhdoi ai. “Qitash vijnë njerzit”

“Për kon i ke nxon o vlla”, ia ktheva unë. “Në karriga ske qit kurrgjo, biletat numra spaskan, unë erdha para atynë që paskan mbet pa ardh hala, kshtu që unë po ulna”.

Kur e pa që unë e kam seriozisht, burri hoqi dorë. Bëri diçka me duar dhe i dolën do zëra, që mua mu duk sikur më tha “hajt trus bothën pra, hajvan”.

Kur e kreva me të, u përballa me nje sfidë tjetër të ngjashme. Në sulm ndaj meje u hodh një djalë i ri, që ndodhej në të majtë.

“E nxane asht”, më tha edhe ai, duke aluduar vetëm në karrigen që e zura unë.

“E qysh e paskit nxan të dy more”, i thashë unë. “Tash a e ke nxan ti, a tjetri djal?”

I riu më tha edhe diçka tjetër, pro me zë të ulët që unë s’e kappa mirë. Me gjasë, u tut pak prej meje. Edhe unë u trimërova kur e pashë që ai nuk ishte prej atyre tifozëve që mezi presin të kërleshen me britma e duar.

“U kry shoku. Unë u ula”, i thashë.

Nuk shkoi shumë e në fushë hynë lojtarët e Prishtinës. Do të jetë histori dita kur këtij ekipi i servohet mikpritje me duartrokitke ose lule në Minatori.

“Uuuuuuuuu”, është gumëzhima që dëgjohet, mes fishkëllimave të shumta, e sharjeve jo të pakta për mysafirët.

Lojtarët e Trepçës dalin më pas në fushë dhe dalldia e tifozëve për është ndryshe, më pozitive, me patjetër.

“O Trepça joneeee, o kampioneeee, o përgjithmoneee”, dëgjohet një zë i mekët afër meje.

Nuk vonon e ai tipi që flet zyrtarisht në mikrofon në palestër, kërkon pak vëmendje. E prezanton përforcimin më të ri të Trepçës. Ky nuk është lojtar e as trajner. Është minator, dhe patjetër që në Mitrovicë një minator është si një gjysmë hyjnori që respektohet nga i madh e i vogël. Në fakt, është minator maskotë. Emrin ia kanë ngjitur Zeqë. Jo me “q”-në e butë, e as me “ç”-në e fortë, por me “ch”-në e huaj, për ta bërë më “cool”.

Zecha shfaqet aktiv, në anën e fushës ku janë lojtarët e Trepçës. Në dorë ka një çekan shpuze, me gjasë, pasi duket se e manipulon lehtë me dorë. Pak nga pak, e diqysh si në pasiguri, Zecha niset nga ana e fushës së Prishtinës. Nuk është që merret me ta, por teksa i shikon, e dredh çekanin nëpër dorë, sic bën një polic me shkopin e tij, nëpër filma amerikane.

Në një moment, atij i afrohet një lojtar i Prishtinës, për të cilin, shum tifozë mitrovicas kanë dashuri minus zero.

“Zecho, ..ja nanën çekiq”, bërtet nje tifoz, me goxha mbipeshë në trup e flokë të rruara tamam si ata tifozët ekstremë.

Zecha nuk e dëgjoi, sigurisht.

Loja nis dhe është e zorshme. Prishtina qëllon një treshe, e Trepça dështon, në disa aksione. Dikur si vonë, e qëllon një dyshe.

Në më shumë se katër minuta të cerekut të parë, rezultati është veç3 me 2 për Prishtinën.

Tifozët mitrovicasë pritnin më shumë.

“U smotanat e nanës jau …sha”, dëgjohet njëri duke thënë.

“Hiqe këtë mut, se spo din kurrgjo”, bërtet një tjetër, që e ka me plejmejkerin e Trepçës, i cili huqi dy gjuajte të lira me radhë, një treshe fill pas tyre, dhe krejt këto i shoqëroi edhe me një faul të panevojshëm kur u kthye në mbrojtje.

Pas gjysmës së çerekut të parë Prishtinës i kthehet zari. Lojtarët qëllojnë lehtas koshin. Edhe ai që këtu s’e duan. Një treshe e tij kritike, dhe festa që bën ai, i nxeh tifozët.

Reagimi i tyrë është lehtë i parashikueshëm.

“Ta …sha nanën”, bërtet njëri, që sic u pa, po të kishte mundësi, do ta godiste grusht, nga radha me e lartë e karrigeve lojtarin në fjalë, poshtë në fushë.

I njëjti nuk u ndal me kaq.

“Ta …sha familjen”, e shton ai arsenalin e sharjeve. “T’i q…sha robt”.

Meqë loja shkoi në një time out, ky pati edhe pak komoditet në kohë që të vazhdojë e mos të ndalet vetëm me të gjallët e atij që po e shante.

“T’i …fsha të dektit, atje ku i ki!”, bërtet ai.

Pavarësisht të sharave, tifozët , deri në këto momente, ishin korrektë sa i përket reagimeve tjera. Shkrepëse, shishe e gjëra “normale” që më parë hedheshin në fushë, nuk u panë.

Në fakt, atyre u ishte bërë thirrje paraprakisht, që të jenë të kujdesshëm, pasi salla mund të zbrazet, në rast se dicka fluturon në parket.

Por, në një ndeshje basketbolli mes Trepcës e Prishtinës, durimi është vlerë e virtyt që gjithsesi se do të mungojë te tifozë nga të dyja anët.  Kështu ndodhi edhe disa javë më parë, kur finalja e Superkupës që u luajt në kryeqytet, u bë mishmash. Tifozët vendas ngucën mysafirët dhe kur kjo ndodh, është lehtë e parashikueshme cfarë ndodh mëpastaj. Njëra dhe pala tjetër fluturuan edhe karriget e sallës për të treguar sa trima janë. Ndeshja ishte ndërprerë dhe ata u nxorën jashtë.

Kështu disi nisi t’i vijë era edhe lojës së të shtunës në Minatori. Tifozët, të mllefosur pse Trepça po luante keq dhe që mbeti shumë pas Prishtinës, me pikë, nisën të shfryhen, ashtu siç mundën.

Tashti nuk mjaftuan vetëm të sharat. Poshtë në parket fluturuan gjëra të ndaluara. Loja u ndërpre pak minuta para fundit të çerekut të tretë, te rezultati 72 me 36 për Prishtinën dhe basketbollistët e këtij ekipi ikën në zhveshtore.

Te kjo situatë, tifozët e butë e kuptuan se çfarë do të ndodh. Ata nisën ta lëshojnë sallën, pa u marrë vendimi final për ta zbrazur atë. Zhgënjimi i mitrovicasve ishte epik, duke qenë se kishin pritur një rivalitet te rreptë, e pse jo edhe fitore ndaj Prishtinës.

“Muta bre, vrriu s’ia banë”, tha një tifoz teksa po ecte qetë në dalje të sallës.

“Çka me ba, këta mutat tjerë janë më të mirë”, ia ktheu një tjetër, që po aludonte te lojtarët mysafirë .

“Veç mos me ardh me i kqyr ma, horë na bonën”, vazhdoi një i tretë.

Dhe kështu, në fakt, veç vendosi të bëjë një burrë, që në ndeshje kishte ardhur me djalin e tij, diku mbi 10 vjec. Në dorë mbante fanellën e Trepcës, që e kishte hequr nga trupi, në shenjë hidhërimi më lojtarët.

“Herave tjera djali jem trus bothën n’shpi edhe kqyre ntelevizor e mos mshti me ardh ma ktu”, i tha ai të birit, teksa po ecte nëpër sheshin Mehë Uka, që nisi të mbushte plot, me tifozë që para kohës lanë ndeshjen. “S’i te sheh që janë tu hup, e ndrron kanallin edhe ski nevojë m’i kqyr ka hupin, si në sallë”.

E kur në sallë vazhdoi loja, pa tifozë, Trepça shijoi njërën prej humbjeve më të rënda ndonjëherë nga Prishtina, u mposht 53 me 88, në Minatori. Ngushëllimi i vetëm ishte fakti se kryeqytetasit, një xhiro më herët, mposhtën Pejën, më rrastë se Trepçën, 83 me 45.

Një ditë pas lojës, trajneri i minatorëve dha dorëheqje. Ekipi mbeti, përkohësisht, në duar të Ilir Selmanit, njërit prej lojtarëve të gjeneratës më të artë të Trepcës.

JU REKOMANDOJMË